
Dëgjesa publike e zhvilluar në tetor në njësinë administrative Martanesh, u prezantua si pjesë e procesit të konsultimit për hartimin e projekt-buxhetit të Bashkisë Bulqizë për vitin 2026.
Në sallë, banorët folën gjatë për mungesën e investimeve dhe përjashtimin e vazhdueshëm të zonës nga fondet e Bashkisë Bulqizë. Në dokumentet zyrtare të buxhetit për vitin 2026-të të prezantuar nga administrate e bashkisë dhe kryetarja Mjeshtri, megjithatë, Martaneshi do të rezultojë sërish me zero lekë investime – duke e kthyer dëgjesën në një formalitet sesa një instrument në vendimmarrjeje.
Gjatë takimit, shqetësimet e banorëve ishin të shumta dhe kryesisht: Rrugët rurale të amortizuara, izolimi i zonës gjatë muajve të dimrit, mungesa e ndërhyrjeve emergjente nga bashkia, si dhe premtime të pambajtura për investime infrastrukturore, u përmendën në mënyrë të përsëritur. Në atë ditë të dëgjesës, një nga banorët e përmblodhi situatën me ironi, duke thënë se “në gjithë këto vite, nga bashkia kemi marrë vetëm dy stola”. Një deklaratë që u kthye në simbol të zhgënjimit.
Pavarësisht kritikave dhe kërkesave për përfshirje reale në planifikimin buxhetor, lista e investimeve për vitin 2026 nuk reflekton asnjë nga nevojat e ngritura në dëgjesë. Asnjë projekt i ri, asnjë fond i dedikuar – përpos një investimi të përbashkët me Bulqizën për sinjalistikën rrugore.
Por edhe pse planifikon që në 2026-n të ketë zero investime në Martanesh, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, ishte e pranishme në qytetin e Krastës jo për të prezantuar projekte apo fonde konkrete, por për aktivitete festive të fundvitit, ndezjen e pemës dhe fotografi me fëmijë. E shoqëruar nga sekretarja e përgjithshme dhe një sërë drejtuesish të administratës.
Banorë dhe vëzhgues që u gjendën në Krastë i thanë Bulqizaime.al se kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, shfrytëzoi edhe aktivitetin e organizuar nga Mir Zoti në Martanesh, për ekspozim në rrjetet sociale, duke e kthyer një nismë festive në material për rrjetet sociale. “Erdhi me vrap me ca gra nga mbrapa e ca të tjerë që i kishte këtu e me vrap ca foto. Merr kalamajt në dorë e iku. Kaq kishte në Martanesh.”
Martaneshi ka qenë ndër vite një nga bastionet elektorale të Partisë Socialiste në Bashkinë Bulqizë, duke i dhënë mazhorancës dhe kryetares së bashkisë përqindje të larta votash si në zgjedhjet vendore, ashtu edhe në ato parlamentare. Një zonë që politikisht funksionon si “hambar votash”, por që në planifikimin buxhetor trajtohet si periferi.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Festime Mjeshtri fitoi në këtë njësi administrative rreth 70% të votave, duke u konfirmuar si forca dominuese politike në zonë. Po ashtu, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste siguroi mbi 72% të votave në Martanesh, ose 509 vota në total, duke e forcuar më tej profilin e njësisë si një bastion elektoral për mazhorancën.
Martaneshi është ndër zonat më të rëndësishme minerare të vendit. Megjithatë, vitet e fundit kjo zonë është lënë pothuajse pas dore nga investimet. Qyteti i Krastës, njëherë i njohur për aktivitetin industrial, sot duket sikur sapo ka dalë nga lufta: rrugët e amortizuara, mungesa e shërbimeve bazë dhe infrastruktura e banesave kolektive e degraduar.








