Sektori minerar po shënon rritje të ndjeshme të investimeve dhe prodhimit, me kromin që mbetet një nga mineralet me interesin më të lartë ekonomik dhe eksportues për Shqipërinë. Të dhënat zyrtare tregojnë se kërkesa globale për lëndë të para kritike dhe përmirësimi i kuadrit ligjor kanë nxitur zgjerimin e aktivitetit nxjerrës dhe përpunues në disa zona minerare të vendit.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), gjatë vitit 2025 janë aktive 579 licenca minerare, që mbulojnë kërkimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e mineraleve metalore, jometalore dhe materialeve të ndërtimit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre licencave është e përqendruar te kromi në Bulqizë, bakri dhe hekur-nikeli, duke reflektuar interes të qëndrueshëm të investitorëve vendas dhe të huaj.
Shqipëria është një nga prodhuesit kryesorë në Evropë, me rezerva të përqendruara në Bulqizë, Tropojë, Kukës dhe Shebenik–Pogradec. Rreth 82% e prodhimit vjen nga Bulqiza (rreth 56% e rezervave të njohura).
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 investimet në makineri, pajisje dhe infrastrukturë teknologjike në sektorin minerar u rritën me 2.8% krahasuar me një vit më parë, duke kapërcyer vlerën 5.3 miliardë lekë. Kjo rritje është reflektuar në zgjerimin e kapaciteteve të pasurimit të kromit dhe në rritjen e volumit të prodhimit.
Gjatë vitit 2024, prodhimi i mineralit të kromit arriti rreth 953,340 ton, me një rritje prej 4.58% krahasuar me vitin 2023. Këto shifra konfirmojnë rëndësinë e kromit, sidomos të atij të Bulqizës, si një nga shtyllat kryesore të industrisë nxjerrëse në vend. Në total, prodhimi i mineraleve metalore shënoi 1,828,464 ton, ose rreth 21.6% më shumë se një vit më parë. Një rritje e ndjeshme është regjistruar edhe në prodhimin e bakrit, i cili u rrit me rreth 180% në vitin 2024, kryesisht si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare.
Sipas INSTAT, eksportet e grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” arritën mbi 71 milionë euro gjatë vitit 2023, duke u renditur ndër zërat kryesorë të eksporteve shqiptare. Ndërkohë, eksportet e mallrave të grupit “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” kanë përbërë 9.7–14.5% të totalit të eksporteve kombëtare në periudhën 2022–2025, me ndikim të drejtpërdrejtë në bilancin tregtar të vendit.
Në aspektin makroekonomik, sektori minerar ka kontribuar mesatarisht 1.4–1.6% në Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë viteve 2022–2024, duke u konsideruar nga institucionet ekonomike si një nga shtyllat kryesore të eksporteve dhe zhvillimit industrial. Pavarësisht luhatjeve sezonale dhe ndikimit të faktorëve ndërkombëtarë, kromi dhe mineralet e tjera metalore vijojnë të zënë një peshë të rëndësishme në strukturën e prodhimit dhe të eksporteve shqiptare, duke mbështetur rritjen ekonomike dhe modernizimin e industrisë minerare në vend.
Megjithatë, prodhimi i kromit vazhdon të rritet dhe të mbetet shtylla kryesore e industrisë minerare në Shqipëri. Sipas të dhënave të Anketës së Produkteve Industriale të INSTAT (2025), prodhimi vjetor i xeherorëve dhe koncentrateve të kromit ka luhatur mes 588,000 dhe 953,340 ton në vitet e fundit, me kulmin prej gati 1.3 milion ton në vitin 2019. Që nga viti 2022, prodhimi është relativisht stabil, duke luhatur mes 920,000 dhe 953,340 tonë. Sipas AKBN, në vitin 2022 janë eksportuar rreth 930,000 ton krom, që përbën 66.5% të prodhimit total. Vlera e shitjeve të xeherorit dhe koncentrateve për vitin 2024 llogaritet mbi 14.9 miliardë lekë, duke e bërë kromin një nga zërat kryesorë të të ardhurave nga eksporti dhe të industrisë minerare në vend.
Edhe me një rënie modeste prej –1.3% të prodhimit në vitin 2024, industria e kromit mbetet lider në volum, eksporte dhe ndikim ekonomik, duke mbështetur mbi 4,000 vende pune të drejtpërdrejta dhe duke siguruar të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit përmes rentës minerare. Këto shifra e rendisin Shqipërinë vazhdimisht në vendin e 7-të në botë për prodhimin total të kromit dhe në vend të 4-t për eksportin, sipas statistikave ndërkombëtare dhe burimeve të industrisë.
Pavarësisht rritjes së prodhimit dhe investimeve, sektori minerar po përballet me vështirësi serioze strukturore që rrezikojnë zhvillimin afatgjatë të tij. Sipas raportit të Inspektoratit Qendror, bazuar në kontrollet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), mungesa e theksuar e fuqisë punëtore ka detyruar kompanitë të punësojnë punonjës të moshuar ose pa eksperiencë, duke rritur ndjeshëm rrezikun në punë. Raporti thekson se mungesa e minatorëve dhe e specialistëve është bërë një problem i përhapur, që ka sjellë mbylljen e disa subjekteve dhe reduktimin e aktivitetit në të tjera, ndërsa universitetet nuk po nxjerrin më profesionistët e nevojshëm për industrinë.
Sektori minerar mbetet një nga më të rrezikshmit në vend përsa i përket sigurisë në punë, duke regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve të rënda, përfshirë humbje jete dhe dëmtime që sjellin humbje të aftësisë për punë. Si pasojë, aksidentet në miniera jo vetëm që kanë pasoja fatale, por shpesh lënë pas edhe punëtorë me dëmtime të përhershme, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e familjeve të tyre dhe duke e kthyer sigurinë në punë në një nga sfidat më të mëdha të sektorit.









