Monitorim mjedisor për të gjitha minierat e hapura pas vitit 2000, ndërsa sektori përballet me mungesë fuqie punëtore

724
Miniera e Bulqizës dhe qyteti. Foto: Bulqizaime.al

Të gjitha minierat dhe metalurgjitë në vend, qoftë ato aktive apo të mbyllura dhe të trashëguara pas vitit 2000, do t’i nënshtrohen një procesi të gjerë monitorimi mjedisor gjatë periudhës 2026-2028. Projekti, i cili është pjesë e dokumentit të rishikuar të programit buxhetor afatmesëm, ka si qëllim identifikimin e burimeve ndotëse, hartimin e masave parandaluese dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt në zonat minerare dhe metalurgjike.

Sipas dokumentit, monitorimi do të kryhet çdo vit deri në 2028, ndërsa për secilin vit do të hartohet një raport i detajuar mbi gjendjen e mjedisit. Kostoja e këtij procesi vjetor llogaritet në 4 milionë lekë. Projekti parashikohet të mbulojë të gjitha objektet minerare dhe metalurgjike të krijuara pas vitit 2000, në përputhje me legjislacionin mjedisor dhe atë minerar, përfshirë ligjin Nr. 10304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.

“Projekti do të pasqyrojë gjendjen reale, burimet ndotëse, masat parandaluese dhe ndërhyrjet e nevojshme për një mjedis minerar dhe metalurgjik të pastër dhe pa ndotje”, thuhet në dokument.

Përveç objekteteve aktive, autoritetet do të realizojnë edhe një projekt të dytë, të fokusuar te minierat e mbyllura dhe të braktisura, të cilat shpesh përbëjnë rrezik për mjedisin dhe komunitetet përreth. Ky projekt do të zbatohet po ashtu gjatë viteve 2026-2028, me një kosto më të lartë – 6.4 milionë lekë në vit.

Në dokument theksohet se minierat e mbyllura janë burim rreziku të vazhdueshëm dhe se monitorimi i tyre është thelbësor për të parandaluar fenomene të rrezikshme dhe për të garantuar sigurinë e zonave përreth. “Parashikon dhe parandalon dukuritë e rreziqeve potenciale minerare duke krijuar siguri për jetën dhe shëndetin e njerëzve përreth zonave minerare, si edhe për ruajtjen dhe rehabilitimin e mjedisit natyror”, thuhet në raport.

540 leje minerare në fuqi, kromi vijon të dominojë sektorin

Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore tregojnë se deri më 31 dhjetor 2024 në Shqipëri janë dhënë 540 leje shfrytëzimi, sipas llojeve të mineraleve. Në krye të listës ndodhet kromi, me 243 leje, ndjekur nga lejet për gëlqerorët me 147, ndërsa 31 leje të tjera janë për shfrytëzimin e hekur-nikelit.

Sipas të dhënave të përmbledhura nga dokumenti zyrtar “Rregjistri i Lejeve Minerare 2023”, në katër bashkitë e qarkut Dibër rezultojnë gjithsej 179 leje minerare aktive, duke e renditur këtë rajon ndër zonat me shfrytëzimin më të lartë minerar në vend. Pjesa dërrmuese e lejeve përqendrohet në Bashkinë Bulqizë, e cila numëron 133 leje, një tregues i rolit të saj dominues në industrinë e kromit dhe burimeve të tjera minerare. Pas Bulqizës vjen Bashkia Klos me 27 leje aktive, me aktivitet të konsiderueshëm në nxjerrjen e materialeve ndërtimore dhe mineraleve të tjera, gjithashtu edhe krom. Ndërkohë, Bashkia Mat rezulton me 10 leje, ndërsa Bashkia Dibër ka 9 leje aktive, kryesisht të lidhura me gurët dekorativë dhe materialet e përpunimit bazë.

Kriza e fuqisë punëtore po godet sektorin

Paralelisht me masat mjedisore, sektori minerar po përballet me një krizë të thellë të fuqisë punëtore, e cila po detyron disa kompani të reduktojnë aktivitetin ose të mbyllen. Raporti i Inspektoratit Qendror, që i referohet kontrolleve të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), nënvizon se kompanitë po punësojnë punonjës të moshuar dhe pa eksperiencë, duke rritur ndjeshëm rrezikun në punë.

“Mungesa e fuqisë punëtore është pothuajse në të gjitha subjektet minerare dhe sa vjen e bëhet më e mprehtë. Kjo ka sjellë mbylljen e disa subjekteve dhe reduktim të aktivitetit tek pjesa tjetër”, thuhet në raport. Problemi është i dyfishtë: jo vetëm mungojnë minatorët, por edhe specialistët, pasi universitetet nuk po nxjerrin më profesionistët e duhur për industrinë.

“Mungesa e daljes së specialistëve të rinj nga Universiteti Politeknik po sjell një perspektivë të zymtë për industrinë minerare”, thekson dokumenti.

Një tjetër pengesë vjen nga pushteti vendor, ku shumë subjekte minerare kanë hasur vështirësi për të vazhduar punimet për shkak të moslejimit të shfrytëzimit të sipërfaqeve në fondet pyjore apo kullosore.

Gjatë vitit 2024, AKSEM ka realizuar 642 inspektime, më shumë se programimi fillestar prej 626 inspektimesh, prej të cilave 20 kanë qenë jashtë programit vjetor. Rezultatet e inspektimeve tregojnë se problematikat strukturore në sektor jo vetëm që vijojnë, por po thellohen vit pas viti.