Punimet ngecin, rruga Kërçovë–Dibër kërkon edhe një vit tjetër për të përfunduar

539
Foto ilustrim

DIBËR, RMV – Përfundimi i rrugës rajonale që lidh fshatin Izvor në Kërçovë me qytetin e Dibrës, një aks prej 19 kilometrash, është shtyrë sërish. Rruga, e cila duhej të lëshohej në përdorim në fund të këtij muaji (Dhjetor 2025), tani pritet të kërkojë edhe një vit shtesë. Kjo e justifikuar për shkak të terrenit të vështirë, i cili ka shkaktuar shembje të vazhdueshme shkëmbinjsh dhe rrëshqitje dheu.

Sipas raportimit të TV21 në Maqedoninë e Veriut, traseja është hapur dhe anësoret janë vendosur, pjesa e asfaltimit dhe hapja për përdorim janë të pamundura aktualisht.

Pengesat e paparashikuara gjatë punimeve kanë detyruar kompaninë kontraktuese të kërkojë shtyrje të afatit si dhe mjete shtesë për financimin e masave mbrojtëse, kryesisht për vendosjen e mureve dhe strukturave stabilizuese për të menaxhuar shkëmbinjtë që rrëzohen.

Këtë vonesë e konfirmon edhe zv.ministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri.

“75% të punimeve janë realizuar. Këtu do të shtyhet edhe një vit realizimi i punimeve për shkak të terrenit që është shumë i rëndë për t’u punuar dhe sipas kontraktuesit ka rrëshqitje të mëdha të dheut dhe prandaj edhe prolongohet realizimi i punimeve,” tha Zëvendës Ministrja Zekolli.

Një histori e gjatë vonesash

Rruga Kërçovë-Dibër, një projekt për lidhjen dhe zhvillimin ekonomik të rajonit të Dibrës, është kthyer në një sagë vonesash. Aksi rrugor fillimisht duhej të përfundonte në vitin 2015. Që nga ajo kohë, për shkak të zvarritjeve burokratike, afati i saj i përfundimit është shtyrë disa herë.

Përfundimi i këtij aksi pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe të ofrojë një rrugë alternative dhe më të sigurt për banorët e Dibrës, duke anashkaluar rrugët ekzistuese që shpesh bllokohen nga dëbora apo shembjet e dheut.