Kontrabandë në kufi, arrestohet 42-vjeçari dhe një doganier i Bllatës

192
Shuma parash në valuta të ndryshme sekuestruar nga policia gjatë aksionit. Foto: Policia e Shtetit

Policia e Dibrës ka goditur një rast të kontrabandës me mallra të ardhura nga Maqedonia e Veriut. Gjatë aksionit u arrestua në flagrancë një 42-vjeçar nga Maqellarë, i cili transportonte mallra të ndryshme të kontrabanduara, ndërsa në pranga përfundoi edhe një doganier i Degës Doganore Bllatë, i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Një tjetër doganier u vu nën hetim në gjendje të lirë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin ‘Skaneri’. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në Maqellarë, dhe u vunë në pranga shtetasi A. L., 51 vjeç, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë,” thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Sipas Policisë, në automjetin e ndaluar në territorin e Maqellarës u gjetën kuti me detergjentë dhe materiale për paketim, për të cilat 42-vjeçari nuk kishte dokumente tatimore. Dyshohet se mallrat janë futur kontrabandë përmes pikës kufitare Bllatë, me dijeninë dhe ndihmën e doganierëve të përfshirë.

Të gjitha mallrat, automjeti dhe një shumë parash në valuta të ndryshme janë sekuestruar, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

Përtej këtij rasti, fenomeni i kalimit të kufirit për furnizim me karburant dhe produkte ushqimore është kthyer në praktikë të përditshme për banorët e bashkive Dibër dhe Bulqizë. Qytetarët e këtyre zonave e gjejnë shumë më të leverdishme që blerjet t’i kryejnë në Dibër të Maqedonisë së Veriut, ku çmimet janë dukshëm më të ulëta.

Dogana Bllatës, Dibër. Foto: Sami Curri

Nga vëzhgimet në terren, në Dibër të Maqedonisë së Veriut numri i kompanive tregtare dhe i marketeve të mëdha është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Këto të fundit po hapin pika të reja shitjeje, veçanërisht në sektorin e produkteve ushqimore dhe atyre shtëpiake, duke tërhequr konsumatorë nga të dy anët e kufirit.

Përgjegjësit e këtyre dyqaneve tregojnë për BIRN se blerësit nga Shqipëria përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të klientëve: “Afërsia me kufirin dhe çmimet më të ulëta janë arsyeja pse qytetarët nga Dibra dhe Bulqiza vijnë këtu më së shumti çdo fundjavë, por edhe ditët e tjera,” shprehen ata.

Produktet ushqimore dhe ato farmaceutike kushtojnë mesatarisht rreth 20 për qind më pak në tregjet e Dibrës së Maqedonisë së Veriut krahasuar me ato të Dibrës dhe Bulqizës në Shqipëri, ndërsa çmimi i naftës është deri në 70 lekë për litër më i ulët. Këto diferenca e bëjnë anën maqedonase tërheqëse për banorët, të cilët zgjedhin të kryejnë atje furnizimet e përditshme. Aktualisht, një litër naftë në Maqedoninë e Veriut shitet me rreth 105 lekë, ndërsa vetëm pesë kilometra më tej, në Maqellarë të Shqipërisë, çmimi prej muajsh qëndron rreth 175–173 lekë për litër.

Tregtarët në anën shqiptare të kufirit e ndjejnë presionin e konkurrencës. Një pronar i një pike karburanti në Maqellarë, që zgjodhi të mbetet anonim, shprehet për BIRN se prej vitesh janë thuajse në mbijetesë, pasi njerëzit furnizohen në Maqedoni: “Ne paguajmë taksa të larta dhe nuk kemi si t’u përgjigjemi çmimeve atje. Me të drejtë i thonë ‘700 për litër’. Na dëmtojnë edhe ata që shesin me bidona me 140 lekë për litër. Me 175 ne ‘ngrohemi në diell’, veç po vjen ndonjë udhëtar tranzit në Dibër që s’i di hilet.”

Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë trajtuar gjithsej gjashtë çështje penale që lidhen me kontrabandën dhe tregtimin e mallrave të ardhura në mënyrë të paligjshme. Këto përfshijnë raste të veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.