Shoqëria “Albchrome” Sh.p.k., një prej kompanive më të mëdha në fushën e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit në vend, ka njoftuar ndryshime të rëndësishme në strukturën e saj drejtuese. Vendimi është marrë nga ortaku i vetëm i saj, “Albchrome Holding” Sh.p.k., të përfaqësuar nga administrator, Sabit Sagir. Në vendim përcaktohet largimi nga detyra i Mikel Demçes, i cili deri më tani ka ushtruar funksionin e administratorit lokal të shoqërisë.
Në vend të tij, është caktuar Medat Zogu, i cili do të mbajë detyrën e administratorit lokal pranë Minierës së Kromit në Bulqizë për një periudhë pesëvjeçare. Emërimi i tij shënon një rikthim në këtë pozicion, pasi Zogu ka mbajtur të njëjtën detyrë edhe më parë. Zogu u largua në vitin 2011, periudhë gjatë së cilës u përfshi në debate dhe tensione me minatorët për shkak të pakënaqësive të tyre ndaj kompanisë. Atë kohë, sindikatat dhe punëtorët e minierës zhvilluan protesta të ashpra duke kërkuar largimin e tij si drejtues lokal.
Paralelisht, “Albchrome” ka emëruar edhe një tjetër administrator lokal: Ruzhdi Domin, i cili do të ushtrojë detyrën pranë Uzinës së Ferrokromit në Elbasan. Edhe ai është caktuar për një periudhë pesëvjeçare, me tagra të kufizuara, duke marrë përgjegjësitë për menaxhimin e aktivitetit të shoqërisë në këtë uzinë strategjike.
“Albchrome”, ka njoftuar edhe ndryshime të tjera në drejtim. Janë larguar nga detyra edhe administratori i shoqërisë, Cemil Acar, si dhe administratori lokal, Sokol Sinani. Në vend të tyre janë emëruar tre administratorë të rinj, me mandat pesëvjeçar: Teuta Üstündağ, Zeynep Erbeyler dhe Erjon Duraj. Sipas vendimit, përfaqësimi i shoqërisë do të bëhet me nënshkrim të përbashkët – Üstündağ për çështjet financiare bashkërisht me Erbeyler, ndërsa për çështjet administrative e operative vetëm bashkërisht me Duraj.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit është publikuar edhe bilanci i “Albchrome” Sh.p.k., i cili tregon për një situatë financiare me humbje për vitin 2024. Sipas dokumentit të miratuar nga ortaku i vetëm i shoqërisë, pasqyrat financiare për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024 regjistrojnë një humbje prej 71.492.641 lekësh ose afro 720 mijë euro. Në vendim përcaktohet se kjo humbje do të mbulohet nga fitimet e akumuluara të kompanisë gjatë viteve të mëparshme.
Shoqëria “Albchrome” Sh.p.k. ka si objekt kryesor të veprimtarisë nxjerrjen, përpunimin dhe pasurimin e kromit në minierat e Bulqizës, Përrenjasit dhe Pojskës, si dhe prodhimin e ferro-kromit në uzinat e Elbasanit dhe Burrelit. Aktiviteti i saj përfshin gjithashtu rehabilitimin dhe shfrytëzimin e minierave e impianteve, import-eksportin e produkteve minerare e metalurgjike, përdorimin e materialeve shpërthyese për qëllime civile, si dhe hartimin e projekteve minerare e gjeologjike.
Albchrome është një nga kompanitë më të mëdha në sektorin minerar në Shqipëri, me aktivitet në Bulqizë, Mat, Klos dhe Elbasan. Pas shitjes në vitin 2022 nga “Balfin Group”, kompania është administruar nga grupi turk “Yildirim International Mining Investments B.V.”. Sektori minerar në Shqipëri mbetet një nga më të rrezikshmit për punonjësit, me kushte pune të vështira dhe mungesë të theksuar të mbrojtjes sociale.
Koncesioni i minierës së kromit në Bulqizë ka filluar më 1 qershor 2000, me një marrëveshje koncesionare për një periudhë 30-vjeçare. Në vitin 2016, ky koncesion është zgjatur deri më 31 dhjetor 2040 me miratim të Kuvendit.
Miniera e Bulqizës është përballur vazhdimisht me protesta ndër vite, të nxitura nga pakënaqësitë e punëtorëve për pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës dhe mungesën e sigurisë në galeri.
Në përpjekje për të zbutur tensionin, kompania në fillim të vitit 2025 rriti pagat me 5%. Por kjo rritje, e konsideruar minimale dhe e vonuar, nuk ka kënaqur punëtorët, të cilët kishin kërkuar rritje 10% në mars.









