ERE nis procedurat për licencimin e parkut fotovoltaik në Gjoricë

818
Fusha e Gjoricës, Bulqizë. Foto: M. Jangulli

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), më 12 gusht 2025 vendosi të nisë procedurat për licencimin e shoqërisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk, e cila do të operojë në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik në Gjoricë, me kapacitet të instaluar 35.6 MW. Vendndodhja e projektit është në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë në Bulqizë.

Në terren, megjithatë, nuk është shënuar asnjë fillim i investimit.

“Ftohen palët e interesuara të shprehin opinionet dhe komentet e tyre me shkrim nga data 13.08.2025 deri në datën 11.09.2025, pranë zyrave të ERE-s”, thuhet në njoftim.

Ky zhvillim vjen pas ankandit hibrid të zhvilluar në korrik 2024 për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Gjoricë, ku u përzgjedhën “Solar Park Gjorica”, “Info-Telecom” shpk dhe kompania turke “Adam Global Energy”. Projekti ka një kapacitet të instaluar prej 35.6 MW dhe energjia e prodhuar do t’i shitet shtetit me një çmim prej 39.7 euro për MW/orë, me një kontratë garantuese blerjeje 15-vjeçare.

“Solar Park Gjorica” u themelua më 13 nëntor 2023 nga Sokol Tasha, me objekt veprimtarie prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike nga burime fotovoltaike. Në shkurt 2024, Këshilli Bashkiak i Bulqizës miratoi dhënien e afro 42 hektarëve tokë të fondit pyjor-kullosor në fshatin Gjoricë e Poshtme për kompaninë.

Gjatë dëgjesës publike, e monitoruar nga Bulqizaime.al, banorët e zonës nuk shprehën kundërshti. Ata u shprehën në takim se “i gëzoheshin faktit” që investitori do të ishte një banor i zonës dhe do të kujdesej që investimi të mos cënonte tokat e tyre, si dhe duke respektuar nevojat e fshatit.

Megjithatë, vetëm disa javë pas dhënies së dakordësisë, pronësia e kompanisë u ndryshua. Më 8 prill 2024, 97% e aksioneve të “Solar Park Gjorica” që kontrolloheshin nga Sokol Tasha, u transferuan tek “Gjonaj Group Holdings”, për një vlerë simbolike prej 1000 euro.

Gjonaj Group Holdings është një grup kompanish me aktivitet kryesisht në sektorët e telekomunikacionit, energjisë dhe marketingut. Pronari dhe kryetari i bordit është Marin Gjonaj.

Energjia solare po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet si një burim i pastër dhe i rinovueshëm, por ka edhe sfida që lidhen me të. Avantazhet kryesore përfshijnë reduktimin e karbonit, sigurimin e një burimi të pashtershëm energjie, uljen e kostove në afatgjatë dhe rritjen e pavarësisë energjetike. Megjithatë, ka edhe disavantazhe, si kostoja fillestare e lartë, varësia nga kushtet klimatike, kërkesa për hapësira të mëdha dhe ndikimi potencial në ekosistem.