Tre kandidatë në garë për kryetar të Komunës së Dibrës në Maqedoninë e Veriut

597
Kandidatët në garë për kryetar të Komunës së Dibrës në Maqedoninë e Veriut.

Partitë politike shqiptare kanë shpallur zyrtarisht kandidatët për kryetar të Komunës së Dibrës, pas një periudhe sondazhesh dhe konsultimesh me strukturat lokale e qendrore. Në garë do të jenë koalicioni VLEN, koalicioni Fronti Evropian dhe një kandidat i pavarur.

Nga koalicioni VLEN, kandidati zyrtar është Fisnik Mela, nga radhët e partisë Alternativa dhe aktualisht zëvendësdrejtor në Drejtorinë për të Ardhura Publike. Në një postim publik, Mela e ka cilësuar kandidimin si një sfidë të nderuar dhe një detyrim moral për të sjellë “një vizion të ri, të ndershëm dhe me përkushtim të vërtetë ndaj qytetarit”. Ai ka theksuar se katër shtyllat e qeverisjes së tij do të jenë drejtësia, sinqeriteti, meritokracia dhe përkushtimi, duke u bërë thirrje qytetarëve për një fushatë përbashkuese dhe transparente.

Koalicioni Fronti Evropian do të garojë me Ilirjan Fetahun, profesor në shkollën e mesme “28 Nëntori” në Dibër, nga krahu i Selës në Aleancën për Shqiptarët. Fetahu ka shprehur në rrjetet sociale vendosmërinë për të punuar “jo për pushtet, por për një bashkëpunim të sinqertë dhe një rilindje të qytetit përmes bashkimit të vërtetë të qytetarëve”. Ai ka theksuar se Dibra ka nevojë për një ndërgjegje kolektive për ta kthyer në një qytet model dhe modern.

Ndërkohë, si kandidat i pavarur është shpallur Ramadan Imeri, drejtor i shkollës së mesme komunale “28 Nëntori” në Dibër. Në deklaratën e tij publike, Imeri është pozicionuar si alternativë pa parti dhe pa interesa të fshehta, duke premtuar një qeverisje të ndershme, njerëzore dhe të afërt me qytetarin. “Nuk kërkoj pushtet – kërkoj besimin tuaj”, ka theksuar ai, duke u zotuar për një administratë që vepron çdo ditë pranë njerëzve dhe nuk i harron ata pas fushatës.

Zgjedhjet pritet të zhvillohen në një klimë të tensionuar, pasi të gjitha forcat politike synojnë drejtimin e Komunës së Dibrës në Maqedoninë e Veriut. Aktualisht, kjo komunë qeveriset nga BDI, dhe gara shihet si një test i rëndësishëm politik për forcat politike shqiptare.