Vdekja e minatorit në Bulqizë, arrestohen 5 punonjës të kompanisë për mungesë sigurie në punë

1348
Zona mineral-mbajtëse D në Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

Policia e Dibrës njoftoi të enjten arrestimin e pesë punonjësve të stafit teknik të subjektit minerar “GERTI Sh.p.k.” në Bulqizë, pas aksidentit tragjik që i mori jetën një minatori 66-vjeçar një ditë më parë. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të ndaluarit janë: “Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç.” Ata akuzohen se, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë në punë, duke çuar në vdekjen tragjike të minatorit, Fari Veliu.

Sipas policisë, hetimet paraprake tregojnë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor brenda galerisë, në një moment kur viktima ndodhej në ambientet e punës. Policia bëri të ditur se materialet procedurale ndaj tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.

Referuar të dhënave në Regjistrin Kombëtar të Lejeve Minerare, aksidenti ndodhi në një galeri që administrohet nga kompania “GERTI Sh.p.k.”, në pronësi të Jeton Danit, një biznesmen i njohur në zonë për aktivitetin në sektorin minerar dhe për lidhjet politike me Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e 11 majit 2025, djali i tij, Murat Dani, kandidoi për deputet në listën e PS-së në qarkun e Dibrës.

I kontaktuar nga BIRN të mërkurën për një koment për ngjarjen, Jeton Dani refuzoi të prononcohej, duke kërkuar që të “lihej rehat”.

BIRN ka gjetur se arrestime të ngjashme, pas aksidenteve të rënda në minierat e Bulqizës, kanë qenë kryesisht simbolike dhe të arrestuarit nuk janë mbajtur përgjegjës. Ky cikël arrestimesh simbolike, pa pasoja reale për përgjegjësit, është kthyer në një praktikë të përsëritur për aksidentet në sektorin minerar, që nuk ka sjellë përmirësim të kushteve dhe sigurisë në punë, dhe as drejtësi për viktimat.

Fari Veliu ishte një prej minatorëve të vjetër në qytetin e Bulqizës, i cili – pavarësisht moshës së pensionit – ishte rikthyer në galeri për shkak të pamundësisë ekonomike për të përballuar jetesën vetëm me pension. Shokë të punës së tij tregojnë për BIRN se ai kishte dekada përvojë në nëntokë.

Ndërkohë, pas aksidentit tragjik në minierën e Bulqizës, i vetmi reagim publik erdhi nga Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, i cili përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale denoncoi kushtet e rënda të punës dhe moshën e papërshtatshme të viktimës për një profesion kaq të rrezikshëm. “Sot në Bulqizë vdiq një minator 66-vjeçar. Në këtë moshë, në asnjë vend të përparuar të botës, një njeri nuk është i detyruar të punojë në minierë,” u shpreh Qori në mesazhin e tij. Ai theksoi se kjo nuk do të kishte ndodhur nëse statusi i minatorit do të ishte miratuar me kohë dhe u shpreh i indinjuar për mungesën e reagimeve politike.

Subjektet minerare në Bulqizë dhe zona të tjera të vendit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe largimit masiv të të rinjve jashtë Shqipërisë, shpesh mbajnë në punë edhe persona që kanë kaluar moshën e pensionit. Kjo është më e theksuar për profesionet dhe specialistët e punimeve minerare. Ligjërisht, mosha e daljes në pension për punonjësit e nëntokës është 55 vjeç, por në praktikë ky kufi shpesh injorohet. Përballë nevojës për mbijetesë, kushteve ekonomike dhe pensioneve të ulëta, shumë ish-minatorë, si rasti i Fari Veliut, detyrohen të rikthehen në galeri, duke rrezikuar jetën.

Ky aksident është i treti me pasoja fatale në zonën e Bulqizës dhe Klosit vetëm gjatë këtij viti. Pak muaj më parë, një tjetër punëtor humbi jetën në një fabrikë pasurimi kromi në Klos, ndërsa trupi i tij u gjet vetëm pas disa javësh kërkimesh intensive, ku u angazhuan edhe banorë të zonës, si dhe forcat e armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës.