
Protesta e banorëve të fshatrave të njësisë administrative Suç në Klos kundër ndërtimit të hidrocentralit në lumin e Lusës, ka sjellë një përplasje politike edhe midis dy deputetëve të sapozgjedhur, Agron Malaj nga PS dhe dhe Denisa Vata nga PD. Në postimet e tyre në Facebook, ata shfaqën përkrahje për protestën e banorëve, por njëkohësisht u përfshinë në një shkëmbim akuzash për vendimet e marra për këtë çështje nga administratat e djathtë që kishte drejtuar Bashkinë e Klosit para vitit 2019-të, si dhe nga qeveria qendrore me lejen e miratuar në vitin 2024.
Reagimi i parë erdhi nga Malaj, duke theksuar se “uji për këta njerëz punëtorë është vetë jeta”. Megjithatë, ai nuk kurseu kritikat ndaj Partisë Demokratike dhe deputetes së saj Denisa Vata, e cila ishte e pranishme në protestë.
Malaj tha se ishte i habitur që deputetja e PD-së “ose nuk njeh historinë e partisë që përfaqëson, ose përpiqet ta mohojë”, duke kujtuar se kontrata për dhënien me qira të sipërfaqes pyjore për ndërtimin e hidrocentralit është firmosur në shtator 2018 nga ish-kryebashkiaku demokrat Basir Çupa, dhe më pas miratuar për transferimin e pronësisë për investimin nga Këshilli Bashkiak në vitin 2019. Ai përmendi edhe ish-kryetaren e këshillit, Zana Elezi, dhe ish-administratorin e njësisë, Ilir Çeliku – të gjithë, sipas tij, pjesë e Partisë Demokratike.
“Nëse këta persona protestojnë sot kundër një kontrate që vetë e kanë firmosur, atëherë ose nuk dinë çfarë bëjnë, ose po mashtrojnë popullin,” tha Malaj, duke theksuar se qytetarët e Klosit nuk do të “hanë dokrrat e tyre”.
I pyetur nga BIRN për kontratën e qirasë të firmosur në vitin 2018 me “Global Interprise Group” dhe vendimin e Këshillit Bashkiak të Klosit në vitin 2019, ish-kryebashkiaku i Klosit, Basir Çupa tha se vendimet janë marrë në përputhje me ligjin.
“Në atë periudhë, Këshilli Bashkiak në Klos nuk ka qenë vetëm i djathtë, por i përzierë,” tha Çupa, duke theksuar se në atë periudhë nuk ka pasur asnjë ankesë nga komuniteti.
Sipas tij, vendimi është marrë me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe të firmës ndërtuese, ndërsa ndërtimi është planifikuar poshtë zonës ku banorët marrin ujin për vaditje. Ai shtoi se kundërshtimet nga banorët kanë ardhur më vonë dhe nëse kishte shkelje në kontratën e qirasë, ato mund të ishin korrigjuar nga administratat pasuese, që sipas tij “i kanë në dorë të gjitha pushtetet për vite me radhë”.
Ndërtimi i HEC-it Doma në lumin e Lusës në njësinë administrative Suç të Klosit, ka sjellë përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”. Projekti është pjesë e një skeme më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë lumë. Banorët pretendojnë se nuk janë përfshirë në asnjë proces dëgjese publike. Situata është përshkallëzuar javët e fundit, ku ka pasur përplasjet fizike ndërmjet banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë.
Në reagimin e saj, Denisa Vata, deputete e sapozgjedhur nga Partia Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, kundërshtoi ashpër qëndrimin e Malajt, duke e akuzuar për përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësia e qeverisë aktuale. Ajo deklaroi se leja për ndërtimin e hidrocentralit është dhënë në prill 2024 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, konkretisht nga ministrja Belinda Balluku, pjesë e qeverisë së PS-së ku bën pjesë edhe Malaj.
“Deputeti i sapozgjedhur i mazhorancës përpiqet të më fajësojë për një kontratë që është firmosur nga qeveria e tij. Por asnjë kryetar bashkie nuk ka kompetencë të japë leje për ndërtim HEC-esh – këto janë vendime qeveritare,” u shpreh Vata.
Ajo shtoi se gjatë fushatës së Malajt, banorët nuk ishin informuar për këtë leje, edhe pse ajo ishte dhënë pak javë para zgjedhjeve. Vata i drejtoi tre pyetje Malajt, se pse nuk ishin informuar banorët për lejen e dhënë nga KKT-ja në prill 2024. Gjithashtu ajo pyet nëse do të kërkojë anulimin e saj si deputet i mazhorancës dhe kush kishte ndërhyrë për të favorizuar kompaninë Doma në marrjen e lejes?
Vata shkruante se “halli i vërtetë i Malajt nuk është ndalja e HEC-it, por si t’ia heqë lejen kompanisë Doma dhe t’ia kalojë vëllait të vet”, duke lënë të kuptohet se pas gjithë përplasjes qëndrojnë interesa të tjera private dhe konflikte interesi.

Njësia Administrative Suç në Klos, dikur ka qenë bastion i së djathtës. Por në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste arriti të merrte një fitore të thellë me afro 60% të votave. Shumë prej tyre, e thonë se nisja e punimeve për HEC Doma fill pas zgjedhjeve nuk është rastësi. Referuar të dhënave të kompanisë ndërtuese, administrator dhe gjithashtu aksioner është Ashim Doma. Ky i fundit një figurë lokale e lidhur me Partinë Socialiste. Gjithashtu edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2013-të në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Dibrës.
Pas publikimit të rastit në media, në orët e pasdites të 29 qershorit, Agron Malaj deputet i zgjedhur nga lista e hapur e Partisë Socialiste zhvilloi një takim me banorët. Kjo më shumë për të deklaruar se nuk kishte lidhje me investimin dhe përgojimi i emrit të tij nuk ishte i vërtët.
“Duhet të kuptojmë diçka: çdo vepër që ndërtohet pa miratimin dhe dëgjesat publike të popullit është e pavlefshme. Ata që flasin lart e poshtë, që thonë ‘shiko se është Agroni mbrapa këtij investimi’, apo ky apo ai – e ftoj të jetë pjesë e kallëzimeve pranë institucioneve dhe ta çojë këtë të vërtetë deri në fund.” tha Malaj.
“Unë nuk mund të lejoj që të përgojohet emri im dhe i familjes sime, por as të shpërdoroj mbështetjen tuaj me votë. Sa kam qenë në krye të Bashkisë Mat për gjashtë vite, më kanë përndjekur këto thashetheme lart e poshtë. Por e vërteta vonon, por del.”
Malaj përmendi edhe se kishte marrë masa për të njoftuar institucionet përkatëse lidhur me rastin në fjalë.
“Jo më larg se dje jam informuar me problematikën që ka dëgjesa publike për këto vepra. Kam bërë detyrën time, duke lajmëruar instancat që kanë kompetencat. Jam këtu me ju. As edhe një milimetër, as një fjalë, as një gërmë nuk është e vërtetë nga ato që janë thënë për mua.”
Ndikimet në mjedis
Zbardhja pjesore e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) të vitit 2017 për projektin HEC Doma ofron një panoramë të karakteristikave natyrore të zonës ku ndërtohet hidrocentrali.
Sipas dokumentit, përroi i Lusës dhe zona përreth përshkruhen si një ekosistem malor kompleks, i pasur me burime ujore që furnizojnë lumin Mat dhe që mbështesin si biodiversitetin, ashtu edhe nevojat bujqësore të komunitetit lokal.
Dokumenti pranon se projekti do të sjellë shmangie të përhershme të një pjese të ujit nga rrjedha natyrore për nevojat e HEC-it, çka do të ndikojë në regjimin e ujit, veçanërisht gjatë fazës së operimit. Gjithashtu, konfirmon edhe përdoruesit ekzistues të ujit në lagjet Shulloj dhe Kurkelaj të fshatit Kurdari, të cilët përdorin përroin për ujitje.
Megjithatë, në tërësi, VNM-ja mbron qëndrimin se ndikimet negative në mjedis do të jenë të kufizuara:
“Projekti nuk do të ndikojë negativisht në ujërat sipërfaqësore që mund të përdoren nga komuniteti për ujitje. Nuk do të ketë ndikim domethënës në ujërat nëntokësore… dhe nuk do të krijohen rreziqe për përmbytje.”
Në lidhje me biodiversitetin, dokumenti thekson se nuk parashikohen dëme të mëdha në florë e faunë, përveç prerjes së disa shkurreve dhe ahishtave për ndërtimin e godinave dhe tubacioneve. Kompania ka premtuar rigjelbërim të zonës pas përfundimit të punimeve. Ndikimi në faunë, thuhet se mund të ndodhë vetëm në fazën e ndërtimit për shkak të zhurmës apo prishjes së foleve, por jo gjatë shfrytëzimit.
Për erozionin dhe stabilitetin e terrenit, studimi vlerëson se projekti do të ndikojë pozitivisht përmes sistemimeve dhe disiplinimit të ujërave, ndërsa mbetjet e gërmimit do të depozitohen në mënyrë të kontrolluar.








