
Tensionet në fshatrat e njësisë administrative Suç në Klos u rikthyen mëngjesin e së shtunës. Dhjetëra banorë të zonës u mblodhën në lokalin e vetëm të fshatit Kurdari dhe më pas u drejtuan drejt lumit të Lusës, ku bllokuan makineritë e shoqërisë “Global Interprise Group”. Shoqëria po përpiqet prej disa ditësh të rifillojë punimet për ndërtimin e HEC-it Doma, një projekt që ka hasur në kundërshtimin e vazhdueshëm të banorëve që prej momentit të shpalljes. Prej disa ditësh, shoqëria kishte nisur gërmimin e kanalit për vendosjen e një tubacioni rreth 4.4 kilometra të gjatë, i cili synon të devijojë rrjedhën natyrore të lumit.
Reagimi i sotëm i banorëve vjen vetëm një ditë pas një incidenti të ndodhur të premten, gjatë të cilit disa prej tyre u konfliktuan edhe fizikisht me punëtorët e kompanisë. Nga përplasja mbeti i lënduar vëllai i administratorit të kompanisë, i cili është gjithashtu aksioner në këtë investim dhe po punonte në terren si eskavatorist. Sipas dëshmive të disa banorëve të kontaktuar nga BIRN, disa të rinj që ndodheshin pranë rrjedhës së lumit i kanë kërkuar atij të largohet nga zona, por ai i ka ofenduar dhe, sipas tyre, ka tentuar t’i shtypë me mjetin e punës. Kjo ka sjellë përshkallëzim të situatës dhe përplasjen fizike.
Pas incidentit, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër njoftoi se kishte referuar në prokurori materialet për nisjen e një procedimi penal në ngarkim të katër banorëve. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprat penale ‘Plagosja e lehtë me dashje’, ‘Vetëgjyqësia’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës’ në ngarkim të shtetasve: H.B., 30 vjeç, S.Ç., 24 vjeç, L.B., 24 vjeç, dhe L.K., 25 vjeç, të gjithë banues në Klos,” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Sipas DVP Dibër, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë dëmtuar një automjet të kompanisë si dhe kanë goditur me grushta një 39-vjeçar, investitor i projektit. Të proceduarit u lanë të lirë në orët e vona të mbrëmjes dhe u pritën jashtë Komisariatit të Policisë Mat me brohorima nga dhjetëra bashkëfshatarë.
Për këtë incident, BIRN i është drejtuar me një kërkesë për koment edhe administratorit të kompanisë “Global Interprise Group”, Ashim Doma, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pasur përgjigje. Në një qëndrim të mëparshëm për BIRN, Doma kishte deklaruar se punimet për ndërtimin e HEC-it do të vazhdojnë, duke theksuar se gjurma e projektit ndodhet rreth 300 metra poshtë fshatit dhe, sipas tij, nuk prek askënd drejtpërdrejt. Ai kishte paralajmëruar gjithashtu se në rast pengesash, do të kërkonte ndërhyrjen e institucioneve ligjzbatuese.
HEC-i Doma është pjesë e një projekti më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në lumin e Lusës, që prej vitesh kundërshtohet nga banorët dhe aktivistët për mbrojtjen e burimeve natyrore. Banorët pretendojnë se ndërtimi po kryhet pa zhvilluar dëgjesa publike dhe pa pëlqimin e komunitetit, siç kërkohet me ligj. Ata shprehen të vendosur për të mos lejuar realizimin e projektit dhe i bëjnë thirrje SPAK-ut dhe institucioneve shtetërore, të hetojnë procedurat e miratimit të tij.








