Bashkia Mat ndodhet prej më shumë se tre muajsh pa një kryetar të zgjedhur, pas dorëheqjes së Agron Malajt më 11 mars 2025 për të kandiduar për deputet në listat e Partisë Socialiste. Deri më sot Presidenti i Republikës Bajram Begaj nuk ka shpallur ende datën për zgjedhjet e pjesshme.
Malaj, një ndër kryebashkiakët socialistë që garuan në zgjedhjet e 11 majit, dorëzoi zyrtarisht dorëheqjen dhe procedura u ndoq njësoj si në rastet e Beratit dhe Tepelenës. Por ndryshe nga sa parashikon ligji, afati 45-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme nuk është respektuar.
Pas dorëheqjes, Këshilli Bashkiak i Matit vendosi të komandojë në krye të bashkisë zëvendëskryetarin Myslim Zeneli. Malaj, i cili po e zhvillonte mandatin e tij të dytë si kryebashkiak, e la këtë detyrë përgjysmë për të kandiduar si deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Dibrës. Karriera politike e tij nisi pas vitit 2013, kur u largua nga Garda e Republikës dhe i’u bashkua Partisë Socialiste.
Agron Malaj ishte kandidati më i votuar në qarkun e Dibrës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke siguruar 14,744 vota në total, nga të cilat 12,616 vota brenda vendit dhe 2,128 vota nga diaspora. Me këtë rezultat, jo vetëm që kryesoi listën e Partisë Socialiste në Dibër për vota parapëlqyese, por u rendit edhe mes kandidatëve më të votuar në rang kombëtar.
Sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor, në rast të ndërprerjes së mandatit të kryetarit të bashkisë, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda 30 deri në 45 ditë nga data e njoftimit zyrtar për vakancën. Megjithatë, Presidenca nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të caktuar datën, ndërsa institucionet e tjera shtetërore heshtin.
Ngërçi procedurial, i ngjashëm me raste të mëparshme si ai në Kukës apo Shkodër, sipas ekspertëve është tregues i mosfunksionimit institucional dhe i shkeljes së shtetit ligjor. Kristaq Kume, i Aleancës Qytetare për Zhvillim Demokratik, e cilëson situatën si pasojë të një zinxhiri të ndërprerë mes Këshillit Bashkiak, Prefektit dhe Këshillit të Ministrave.
“Duhej që Këshilli Bashkiak të njoftonte Prefektin, i cili më pas i dërgon njoftimin Këshillit të Ministrave, dhe ky ia përcjell Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve. Mosfunksionimi i kësaj procedure është shkelje e hapur e ligjit,” thotë Kume për BIRN.
Nga ana tjetër, Agron Haxhimali nga Instituti për Bashkitë thekson për BIRN se presidenti ka mundësi të veprojë me iniciativën e tij për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore.
Mosbërja e zgjedhjeve të reja krijon, sipas tij, “bllokim të vendimmarrjes politike dhe ekzekutive të bashkisë, sidomos për politikat prioritare dhe buxhetin; paaftësi për përfaqësim institucional në marrëdhëniet me qeverinë qendrore dhe ndërkombëtarët; dobësim i përgjegjshmërisë politike, pasi zëvendëskryetari nuk ka legjitimitet të njëjtë publik dhe elektoral, si dhe rrezik për keqadministrim, për shkak të mungesës së një figure të qartë drejtuese dhe llogaridhënëse”.
Ndërkohë, burime pranë grupit parlamentar të PS-së i thanë BIRN-it se zgjedhjet e pjesshme për Bashkitë Mat, Berat dhe Tepelenë po parashikohen të zhvillohen në vjeshtë – me gjasë në shtator – por pa ndonjë datë zyrtare të shpallur.









