Agron Malaj padit Xhelal Mziun për shpifje, kjo pas akuzave për blerje votash në Maqellarë

631
Majtas: Agron Malaj, djathtas: Xhelal Mziu – foto ilustrim nga Bulqizaime.al

Ish-kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, ka depozituar padi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, për veprën penale “shpifje” të kryer botërisht.

Padia erdhi pas deklaratave të Mziut, të bëra në Syri TV, një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku ai e akuzonte Malajn për shpërndarje parash me qëllim blerjen e votave në Maqellarë.

Më 10 maj, në Maqellarë u regjistrua një incident ku simpatizantë të Partisë Demokratike ndaluan një automjet, duke pretenduar se personat brenda tij po shpërndanin para për blerje votash në favor të Partisë Socialiste. Në këtë situatë, Mziu deklaroi se automjeti i përkiste Agron Malajt.

Agron Malaj mohoi akuzat, duke i cilësuar shpifje dhe duke reaguar nëpërmjet një videoje në Facebook, ku e quajti Mziun “palaço” dhe theksoi se ai nuk ishte fare në Maqellarë në momentin e ngjarjes, por në Mat.

Pas padisë së depozituar, çështja është regjistruar në GJKKO dhe gjyqtarja Irena Gjoka do të shqyrtojë rastin, ndërsa pritet të caktojë datën për seancën e parë.

Deputeti Xhelal Mziu u kontaktua në rrugë elektronike nga Bulqizaime.al për t’u pyetur lidhur me padinë që Agron Malaj depozitoi kundër tij për shpifje. Ai u përgjigj me një deklaratë të shkurtër, duke thënë se “Në burg do të shkoj Malaj, për shkak të krimit zgjedhor dhe korrupsionit”.

Në qarkun e Dibrës, Partia Socialiste fitoi 3 mandate, duke përmbysur rezultatet dhe duke lënë koalicionin e Sali Berishës me vetëm 2 mandate. PS fut në Kuvend Blendi Klosin dhe Alma Selamin nga lista e mbyllur, si dhe ish-kryebashkiakun e Matit, Agron Malajn, që rezultoi kandidati më i votuar me 12,616 vota.

Partia Demokratike mori vetëm dy mandate, për deputetët Xhelal Mziu dhe Denisa Vata.