Një aksident ka ndodhur këtë të mërkurë në një nga galeritë e kromit të kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, ku një minator 40-vjeçar, me inicialet A.N., është plagosur gjatë punës. Sipas raportimeve dhe dëshmive të kolegëve të tij, minatori është goditur nga një masiv gurësh teksa ndodhej në thellësi të nëntokës.
Menjëherë pas ngjarjes, minatori i plagosur është transportuar fillimisht në spitalin e Bulqizës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, ai është dërguar për trajtim të specializuar në Spitalin Rajonal të Dibrës. Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja e 40-vjeçarit është e stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kompania Albchrome nuk ka reaguar publikisht për rrethanat e ngjarjes.
Ky incident vjen në një periudhë kur aksidentet në sektorin janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, me pasoja tragjike. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër minator humbi jetën në një galeri kromi në Prrenjas. Edhe miniera e Bulqizës është përballur vazhdimisht me ngjarje të rënda, ku çdo vit raportohen viktima në vendin e punës. Një muaj më parë, në Klos, trupi i një të riu që punonte në një fabrikë pasurimi kromi u gjet pas pesë ditësh kërkimesh, ndërsa pjesë të tjera të trupit të tij u gjetën vetëm pas dy javësh.
Siguria në punë mbetet një nga problemet më shqetësuese në Shqipëri, sidomos në sektorë si ndërtimi, minierat dhe energjia elektrike. Tetë punëtorë kanë humbur jetën në detyrë në më pak se dy muaj në vend. Në zonën minerare të Bulqizës, organizimi sindikal pothuajse ka shuar zërin e tij në vitet e fundit. Përpjekjet për krijimin e një sindikate të pavarur në vitin 2019-të solli presione dhe përjashtime nga puna, duke krijuar një klimë frike mes punëtorëve për organizime të tilla.









