Rrëshqitjet në fabrikën e pasurimit të kromit në Klos, 29-vjeçari mbetet nën dhe, kërkimet pa rezultat

1029
Vendi i ngjarjes. Foto: D. Kurti

Një punëtor 29-vjeçar mbeti i bllokuar nga masivi i sterilit të kromit, pas një rrëshqitjeje në fabrikën e pasurimit të kromit në Qafën e Burrelit, Klos. Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite, kur Ardit Beshiri po drejtonte një ekskavator.

Sipas informacionit zyrtar nga Policia e Dibrës, ngjarja ndodhi rreth orës 14:00. Ardit Beshiri, 29 vjeç, po punonte me një eskavator për gërryerjen e një rezervuari, kur ndodhi një rrëshqitje e madhe dheu që e zuri poshtë atë dhe mjetin me të cilin punonte. Shërbimet e emergjencës kanë nisur kërkimet, por ende pa rezultate.

Babai i viktimës, Nerim Beshiri, ka bërë një apel publik për ndihmë nga institucionet shtetërore, duke kritikuar mungesën e mjeteve të duhura për kërkim-shpëtim. Ai tregon se rrëshqitja shtrihet deri në 4 kilometra. “Kanë ardhur 6-7 ushtarë, vetëm me cizme dhe lopata. Kjo punë nuk bëhet kështu. Na duhen makina të mëdha, mjete të specializuara apo edhe qen të trajnuar për kërkime,” deklaroi ai për mediat.

Në qendër të kritikave të familjes është edhe kompania kineze që administron fabrikën e kromit, e cila, sipas babait të viktimës, është tërhequr nga vendngjarja menjëherë pas plotësimit të disa dokumenteve dhe nuk ka ofruar ndihmë për kërkimet. “Janë zhdukur. Erdhën dje, bënë ca letra dhe sot askush nuk është këtu,” tha Beshiri.

Ky është aksidenti i tretë i rëndë brenda pak muajsh në sektorin minerar.