“Karton jeshil” për Maqedoninë e Veriut tani me vlefshmëri 1-vjeçare dhe kushton 50 euro

1068
Foto ilustruese

Duke filluar nga 1 Prilli 2025, qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton jeshil” me vlefshmëri njëvjeçare, e cila do të kushtojë 50 euro, një çmim i reduktuar krahasuar me tarifat e mëparshme.

Kjo masë vjen pas vendimit të ngjashëm për Malin e Zi, ku më 1 Shkurt 2025 hyri në fuqi polica njëvjeçare e “Kartonit jeshil”, duke zëvendësuar opsionin dyjavor prej 15 eurosh. Me ndryshimin e bërë, shoferët me targa shqiptare nuk do të kenë më nevojë të rinovojnë sigurimin çdo dy javë për udhëtimet në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vendimi është rezultat i bashkëpunimit me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) dhe synon të lehtësojë qarkullimin ndërkufitar, duke ulur kostot për qytetarët dhe duke nxitur shkëmbimet ekonomike me vendet fqinje.

“Qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën ‘Karton jeshil’ me vlefshmëri 12-mujore në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit. Kjo mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut dhe lehtëson lëvizjen e qytetarëve e bizneseve, veçanërisht për ata që udhëtojnë shpesh për arsye pune,” thuhet në njoftimin e AMF-së.

Shoqëritë e sigurimit do të vijojnë të ofrojnë edhe “Kartonin jeshil” 15-ditor me çmim 15 euro, për ata që udhëtojnë më rrallë. “Kartoni jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti jashtë vendit.

Ky lehtësim pritet të ketë ndikim pozitiv për bizneset dhe banorët e zonave kufitare, të cilët lëvizin shpesh drejt Maqedonisë së Veriut.