Vizita e Ramës në Bulqizë e Mat, opozita kritikon qeverinë për abuzim me administratën

755
Kryeministri, Edi Rama gjatë një takimi në Bulqizë.

Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe Partinë Socialiste për abuzim me pushtetin në funksion të fushatës së tyre elektorale, duke përdorur administratën publike. Kjo akuzë vjen pasi këtë të premte, Rama zhvilloi një sërë takimesh në Bulqizë, Klos dhe Mat.

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Bulqizë, Fatos Hoxha me një status në rrjetin e tij social Facebook, deklaron se në orarin zyrtar, administrata ndërpreu punën për të marrë pjesë në takimet e Ramës. “Në ditën për diell, Rama mundohet t’ju hedhi hi syve bulqizakëve duke thënë që çmimi i naftës është rritur se është luftë. Por të gjithë bulqizakët e dibranët e dinë shumë mirë se nafta në vendin tonë fqinj është 500 lekë (të vjetra) më lirë. Boll mashtrove se bulqizakët dhe dibranët do ta japin shumë shpejt pëgjigjen. Shoumeni Rama për të rritur artificialisht pjesmarrjen, në orarin zyrtar bëri që të pezullohet puna në të gjithë administratën, qendrat shëndetësore dhe spitalore pa harruar dhe institucionet arsimore. Të gjithë në protestë me 12 nëntor”, shkruan Hoxha.

Gjithashtu edhe deputetit i Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Xhelal Mziu deklaroi se Rama e ka lënë qarkun Dibër pa asnjë investim publik, asnjë punësim dhe ka shkatërruar bujqësinë. Mziu akuzoi qeverinë se nuk përmend investimin e rrugës së Arbërit. “Kryeministri që gënjen përse nuk nxori në video 35 km rrugë që kushtojnë 336 milionë euro që duhet të mbaronte në mars 2021 dhe duhen dhe 10 vite të tjera të mbaroj. Pse nuk nxore aksin nga Brari deri sa kalon grykën e Tujanit që është gjysë e shtruar dhe e papërfunduar (që po i bëhet shtesë kontrate rreth 10 milionë euro). Pse nuk nxore aksin nga Zall Bastari deri tek hyrja e tunelit plotë kthesa dhe pa asfalt përfundimtar e sinjalistik.”, shkruan Mziu. Sipas tij, Rruga e Arbërit ka shkuar me një kosto prej 337 milionë euro dhe s’dihet se kur mbaron, duke e konsideruar si rruga e lënë rrugësh.