Shpërthim në minierën e Bulqizës, tre minatorë të plagosur

1933
Miniera e kromit në Bulqizë.

Tre minatorë u plagosën, pas një shpërthimi gazi në pusin 17 të minierës së Bulqizës. Shpërthimi i gazit ndodhi rreth mesditës së të hënës, ndërsa minatorët po punonin në pusin që zotërohet nga Albchrome. Policia bëri me dije se minatorët kanë pësuar djegie trupore. “Të lënduarit po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Është bërë menjëherë evakuimi i të gjithë punëtorëve nga fronti i punës dhe rrjedhja e gazit është vënë nën kontroll. Situata aktualisht është normalizuar.” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, deklaroi se nivelet e thella të Minierës së Bulqizës, janë një “bombë me sahat”, duke identifikuar minatorët e plagosur si Rrahim Karaj, Asllan Çakalli dhe Trifon Snalla. “Kjo minierë, në të cilën janë zbuluar rezerva të mëdha të gazit metan, rrezikon çdo moment jetën e qindra minatorëve, ndaj duhet të merren masa urgjente që raste të tilla – që mund të rezultojnë shumë më fatale – të mos përsëriten më.” thuhet në deklaratën e SMBB-së. Minatorët e aksidentuar në punë janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranës.

“Në anën tjetër, kushtet e spitalit të Bulqizës janë të mjerueshme, si të ishte një spital fshati dhe jo spital i një zone ku punojnë mijëra minatorë që rrezikojnë shëndetin dhe jetën çdo moment.” Vijon reagimi i SMBB-së.

Në Minierën e Bulqizës ka pasur edhe më parë shpërthime të gazit metan, ku dhjetëra minatorë kanë mbetur të plagosur. Në vitin 2017-të, teksa punohej për hapjen e thellësisë për pusin 17 të minierës, tre minatorë të një kompanie kineze, e kontraktuar për punimet, humbën jetës si pasojë e shpërthimit të gazit.

Kompania AlbChrome, në galeritë e kontrolluara prej të cilës ndodhi aksidenti, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk solli një qëndrim lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës, galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri.

Albchrome Holding, kompania ku ndodhi aksidenti, zotëron pjesën më të madhe të zonës krom-mbajtëse të Bulqizës me koncesion deri në vitin 2040. Aksionet e kompanisë kanë ndërruar disa duar. Prej dhjetorit 2021, pronësia e Albchrome i kaloi shoqërisë “Yildirim International Mining Investments” B.V. një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Holandë, pjesë e grupit turk Yildirim, grup që operon në një numër të madh industrish si metalurgji dhe miniera, energjetikë dhe prodhimin e plehrave kimike.