Sekuestrohet mbi 1 ton lëndë plasëse në Bulqizë, në prangat e Policisë edhe 6 persona

1371
Gjatë aksionit të policisë, ku janë sekuestruar 1 ton e 162 kilogramë lëndë plasëse dhe 3815 kapsolla elektrike.

Finalizohet operacioni i koduar “Toka e Artë”, ku në prangat e policisë kanë rënë B. K, 25 vjeç dhe D. K, 21 vjeç, pasi përvetësuan dhe shfrytëzuan në mënyrë të jashtëligjshme një miniere në Batër, Krastë.

Dy vëllezërit kishin përvetësuar një galeri në Batër dhe vazhdonin të kryenin punime, me qëllim nxjerrjen dhe shfrytëzimin e materialit minerar.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në përmbushje të objektivave të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e informalitetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas shfrytëzonin një minierë, në mënyrë të paligjshme, ndërsa disa të tjerë tregtonin lëndë plasëse po në mënyrë të paligjshme” thuhet në deklaratën për shtyp të drejtuesit të Policisë Dibër, Dhimitraq Ziu.

Gjatë kontrollit të ushtruar në galeri janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 kallëpe me lëndë plasëse dinamit (me peshë 8 kg) dhe 15 kapsolla elektrike.

21 vjeçari është person me precedent të mëparshëm kriminal, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu, është arrestuar edhe shtetasi H. B., 38 vjeç (minator/zjarrmëtar), I. L., 34 vjeç, administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse, K.L., 48 vjeç, , administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse, E. L., 33 vjeç, me detyrë minator/zjarrmëtar në këtë subjekt.

Gjatë aksionit të policisë, gjithsej janë sekuestruar 1 ton e 162 kilogramë lëndë plasëse dhe 3815 kapsolla elektrike.

“Njëkohësisht, ndaj këtyre dy subjekteve të konstatuara në paligjshmëri me lëndët plasëse po vijojnë hetimet për mënyrën e pajisjes me licencë nga organet përkatëse, për hetimin e ngjarjeve të ndodhura me lëndë eksplozive më parë, në qarkun e Dibrës, si dhe në bashkëpunim me qarqet e tjera, për të parë nese këto subjekte kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndës plasëse, personave të paautorizuar nga ligji. Ndërkohë, nga ana e strukturave të DVP Dibër do të vijojnë kontrollet për zbatimin e ligjshmërisë për pajisjen e subjekteve të tjera me licencën për ushtrimin e këtij aktiviteti.” thuhet në deklaratën për shtyp të drejtuesit të Policisë Dibër, Dhimitraq Ziu.