Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale mbylli të mërkurën afatin 9-mujor të punës pa arritur dakordësi me opozitën, ndërsa mazhoranca prezantoi e vetme një raport mbi 300 faqe të hartuar nga ekspertët socialistë, të titulluar “Raporti Përfundimtar-Reforma Administrativo-Territoriale 2.0”.
Dokumenti ndan 61 bashkitë e vendit në tre kategori sipas kapaciteteve: 20 me kapacitet të plotë, 21 me kapacitet të moderuar dhe 20 me kapacitet të kufizuar. Mbi këtë bazë propozohen katër skenarë alternativë për riorganizimin territorial, nga ruajtja e hartës aktuale me rishpërndarje funksionesh, deri te bashkimet e gjera të bashkive. Raporti parashikon gjithashtu krijimin e një niveli të ri rajonal mbi 12 qarqet ekzistuese, që do të administronte funksione ndërbashkiake si transporti, menaxhimi i mbetjeve dhe fondet e BE-së.
Në draftet që kanë qarkulluar deri tani, qarku i Dibrës mbetet me katër bashki. Raporti i paraqitur nga mazhoranca dhe deklaratat e palëve në komision nuk parashikojnë ndonjë ndryshim në numrin e bashkive ekzistuese për këtë qark, ku mund të vazhdojë të funksionojë me të njëjtën ndarje territoriale që ka sot.
Bashkëkryetari socialist i komisionit, Arbjan Mazniku, bëri të qartë se PS do t’i qëndrojë skenarit të tretë, që parashikon një ulje të vogël të numrit të bashkive përmes bashkimit të njësive të vogla me qendra fqinje më të forta. “Kështu konsolidojmë bashkitë, u japim madhësinë dhe kapacitetet njerëzore që u mungojnë, dhe na lejon të kapim afatet elektorale,” tha Mazniku, duke shtuar se harta e re duhet të jetë gati para zgjedhjeve vendore. Sipas tij, procesi do të vazhdojë deri në verën e 2027-ës me rishikimin e kompetencave, financimit vendor dhe krijimin e një mekanizmi rajonal.
Opozita e kundërshtoi hapin si të parakohshëm. Bashkëkryetari demokrat Luçiano Boçi tha se raporti u prezantua pa u mbyllur ende dëgjesat me bashkitë – përfshirë atë të Tiranës – dhe pa u miratuar parimet e reformës. “Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?” pyeti ai, duke kërkuar shtyrjen e afateve. Deputetja Jorida Tabaku shtoi se dokumenti rrezikon të jetë “një hartë politike” e paraqitur si nevojë e qytetarëve. Mazniku ia ktheu akuzën opozitës, duke thënë se ajo ka penguar sistematikisht procesin gjatë 9 muajve të punës. Pavarësisht kontrastit, ai la një derë të hapur për të dëgjuar edhe raportin e ekspertëve të PD-së, nëse opozita bie dakord.










