Komisioni Evropian kritikon reformën e re administrative-territoriale, të miratuar nga mazhoranca pa konsensus politik, duke vënë në dukje se ajo ka krijuar pasiguri për vetëqeverisjen vendore dhe shoqërohet me prirje drejt ricentralizimit. Zbatimi i strategjisë së decentralizimit mbetet i kufizuar, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave të bashkive vazhdon të vijë nga transfertat e qeverisë qendrore.
Reforma administrative-territoriale dhe funksionimi i pushtetit vendor zënë një vend të rëndësishëm në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026. Në vlerësimin e tij, Brukseli evidenton mungesën e konsensusit politik për ndryshimet territoriale, dobësitë në zbatimin e decentralizimit dhe varësinë financiare të bashkive nga qeveria qendrore.
Komisioni vëren se procesi i reformës territoriale nuk arriti të prodhojë një marrëveshje mes palëve politike. Komisioni i përbashkët parlamentar ad hoc për Reformën Administrative e Territoriale përfundoi mandatin në korrik 2026 pa konsensus për propozimin që ishte dërguar më parë për konsultim publik. Në tetor, reforma u miratua me propozimin e shumicës në pushtet.
Sipas raportit, reforma e miratuar, e shoqëruar me një prirje drejt ricentralizimit, ka krijuar pasiguri për vetëqeverisjen vendore. Ky vlerësim vjen në një kohë kur autonomia e bashkive, kompetencat dhe burimet financiare për ushtrimin e tyre mbeten çështje të rëndësishme të procesit të decentralizimit.
Decentralizimi mbetet pas, bashkitë varen nga transfertat
Komisioni Evropian konstaton se zbatimi i Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2023–2030 është i kufizuar, kryesisht për shkak të mungesës së angazhimit politik dhe kapaciteteve institucionale.
Një nga problematikat e evidentuara është mungesa e raporteve vjetore të monitorimit që prej vitit 2023. Sipas KE-së, mungesa e të dhënave të besueshme dhe vonesat e vazhdueshme pengojnë administratën të identifikojë problematikat dhe të ndërmarrë masa korrigjuese.
Një tjetër shqetësim lidhet me financat vendore. Pjesa më e madhe e të ardhurave të bashkive vijon të sigurohet përmes transfertave nga qeveria qendrore, duke dëshmuar varësinë financiare të pushtetit vendor.
Komisioni vlerëson se forcimi i kapaciteteve vendore mund të mbështetet përmes Akademisë së re të Qeverisjes Vendore. Ndërkohë, konsultimi me publikun dhe llogaridhënia në nivel lokal mbeten të kufizuara, ndërsa qeverisja në disa nivele është përforcuar vetëm në mënyrë të moderuar përmes komiteteve këshillimore ad hoc pranë Këshillit Konsultativ.
Vetëm 8 gra kryebashkiake në 61 bashki
Në pjesën që trajton përfaqësimin politik në nivel vendor, raporti evidenton një përfaqësim të ulët të grave në drejtimin e bashkive.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, vetëm 8 nga 61 bashkitë drejtohen nga gra, ose 13.1%, ndërsa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian është 34.9%.
Raporti përmend gjithashtu zgjedhjet e pjesshme për kryetarë bashkie të zhvilluara më 9 nëntor 2025 në Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë dhe Vlorë, ku pjesëmarrja në votime varioi nga 12.54% deri në 39.23%.
Në këtë kontekst, Komisioni kërkon realizimin urgjent të një reforme gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Planet e integritetit dhe shërbimet sociale
Në drejtim të luftës kundër korrupsionit në nivel vendor, raporti evidenton se plane integriteti janë miratuar në 44 nga 61 bashkitë e vendit. Megjithatë, cilësia dhe zbatimi i tyre ndryshojnë nga një institucion në tjetrin.
Komisioni kërkon që planet e integritetit të shtrihen në nivel qendror dhe vendor, si dhe të kryhen më shumë vlerësime të rrezikut të korrupsionit në sektorët më të cenueshëm. Raporti evidenton gjithashtu publikimin e deklarimeve të pasurisë për rreth 365 zyrtarë, përfshirë kryetarët e bashkive.
Në fushën e shërbimeve sociale, Fondi Social u rrit me 14% gjatë vitit 2025, duke mbështetur 57 shërbime në nivel bashkiak dhe 19 shërbime të specializuara në nivel rajonal.
Pavarësisht këtij financimi, Komisioni vlerëson se qeveria duhet të rrisë kapacitetet e pushtetit vendor për financimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale, përfshirë kujdesin afatgjatë dhe krijimin e sistemeve lokale të referimit.
Mekanizmat për referimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës mbeten të dobët në nivel bashkie, ndërsa deri tani janë miratuar 11 plane veprimi vendore për barazinë gjinore. Për fëmijët, raporti nënvizon nevojën për zgjerimin e qendrave të shërbimit në komunitet dhe familje.
Shqetësime për menaxhimin e tokës dhe mjedisit
Pushteti vendor përmendet edhe në kapitujt që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, energjinë dhe administrimin e territorit.
Komisioni evidenton konfliktet lokale për përdorimin e burimeve ujore dhe ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, si dhe mungesën e konsultimit të mjaftueshëm me komunitetet vendore dhe organizatat mjedisore.
Raporti kërkon forcimin e kapaciteteve teknike të bashkive për efiçencën energjetike dhe harmonizimin e planeve vendore me objektivat kombëtare. Në menaxhimin e mbetjeve përmenden nismat për ndarjen e tyre në burim në Berat dhe Përmet.
Një tjetër çështje e evidentuar është ligji i ri “Paketa e Malit”, që synon nxitjen e investimeve në pyje dhe kullota përmes lehtësive fiskale dhe lehtësirave për blerjen e tokës nga investitorët. Sipas Komisionit Evropian, kjo nismë mund të ketë pasoja të rëndësishme negative për përdorimin vendor të tokës dhe menaxhimin mjedisor.
Bashkitë jashtë planifikimit të projekteve të zhvillimit rajonal
Në pjesën që lidhet me fondet e Bashkimit Evropian dhe politikën e kohezionit, Komisioni evidenton se njësitë vendore duhet të forcojnë kapacitetet për të përfituar nga instrumentet e ardhshme financiare të BE-së.
Raporti vëren se Plani Kombëtar i Projekteve nuk përfshin projektet e drejtuara nga bashkitë, ndërsa Shoqata e Bashkive duhet të ketë rol më të madh në planifikim dhe të forcojë kapacitetet e saj.
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar ende vendimin për zbatimin e parimit të partneritetit, sipas Kodit Evropian të Sjelljes për Partneritetin. Ky mekanizëm synon përfshirjen e autoriteteve vendore dhe aktorëve të tjerë në planifikimin dhe zbatimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian.
Komisioni thekson se, megjithëse Shqipëria ka krijuar klasifikimin statistikor territorial NUTS, ai ende nuk përdoret për analiza territoriale dhe politika të bazuara në të dhëna. Po ashtu, kuadri kombëtar për zhvillimin rajonal mbetet ende për t’u ngritur.
Në përfundim, vlerësimi i Komisionit Evropian evidenton se decentralizimi në Shqipëri mbetet një proces i papërfunduar. Mungesa e autonomisë financiare, kapacitetet e kufizuara institucionale, konsultimi i pamjaftueshëm publik dhe përqendrimi i vendimmarrjes në nivel qendror vijojnë të pengojnë funksionimin efektiv të vetëqeverisjes vendore.










