Raporti i KE për Shqipërinë: Korrupsioni, presioni ndaj drejtësisë dhe liria e medias mbeten sfida, kritika për Kuvendin dhe qeverinë

147
Vizitat zyrtare më të rëndësishme të Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, në Tiranë ku është pritur nga Kryeministri Edi Rama

Komisioni Evropian ka evidentuar një sërë problematikash në funksionimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e drejtësisë dhe lirinë e medias në Shqipëri, në progres-raportin e vitit 2026, të prezantuar nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, në Parlamentin Evropian.

Megjithëse vlerëson progresin e bërë në negociatat e anëtarësimit, ku Shqipëria ka hapur të gjashtë klasterët dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj, Brukseli nënvizon se vendi ka ende sfida të rëndësishme përpara, veçanërisht në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e reformave.

Një nga kritikat kryesore lidhet me funksionimin e Kuvendit, ku Komisioni evidenton mbikëqyrjen e dobët të ekzekutivit, mungesën e dialogut politik dhe refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore. Shqetësim të veçantë përbën edhe votimi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti – referuar këtu rastit të ish-ministres Belinda Balluku – si dhe moszbatimi i disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Raporti kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, ndërsa kritikon edhe miratimin e reformës territoriale pa konsensus politik dhe prirjen për centralizimin e pushtetit vendor, duke krijuar pasiguri për autonominë e bashkive.

Korrupsioni dhe presioni ndaj drejtësisë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni vlerëson punën dhe pavarësinë e SPAK-ut, por thekson se rezultatet duhet të përkthehen në më shumë dënime përfundimtare për korrupsionin e nivelit të lartë dhe konfiskime të pasurive me origjinë kriminale.

Gjatë periudhës së raportimit, SPAK dërgoi në gjykatë 34 procedime me 160 të pandehur, prej të cilave 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. Megjithatë, Komisioni evidenton rënien e vendimeve për konfiskimin e pasurive, nga 20 në 8, si dhe mungesën e referimeve të mjaftueshme nga institucionet shtetërore.

Sa i përket drejtësisë, raporti vlerëson përfundimin e procesit të vetingut dhe progresin në reformën në drejtësi, por ngre shqetësime për përpjekjet e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë për të ndikuar në institucionet gjyqësore, përfshirë SPAK-un. Në këtë kontekst përmenden edhe reagimet e ekzekutivit dhe legjislativit pas pezullimit nga detyra të një zyrtareje të lartë me vendim gjykate.

Mungesa e burimeve njerëzore, vonesat në gjykata dhe problemet me sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve vijojnë të kufizojnë eficiencën e sistemit të drejtësisë.

Liria e medias dhe presioni ndaj gazetarëve

Një tjetër fushë problematike mbetet liria e medias. Komisioni evidenton kërcënimet, intimidimin, sulmet dhe paditë SLAPP ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj atyre investigativë dhe grave gazetare.

Gjatë vitit 2025, organizatat e lirisë së medias raportuan 42 raste të cenimit të sigurisë së gazetarëve, ndërsa pandëshkueshmëria për këto raste mbetet shqetësuese. Raporti nënvizon gjithashtu përqendrimin e pronësisë së mediave, ndikimin politik dhe ekonomik, mungesën e transparencës në financimin publik dhe përhapjen e vetëcensurës.

Komisioni kërkon dekriminalizimin e plotë të shpifjes, përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane kundër padive SLAPP dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e gazetarëve.

Protestat dhe mjedisi

Raporti i kushton vëmendje edhe protestave të vazhdueshme në vend, duke i cilësuar ato si mobilizimin më të madh qytetar që nga fillimi i tranzicionit demokratik. Komisioni evidenton mungesën e dialogut mes palëve dhe incidentet gjatë protestave studentore të tetorit, përfshirë akuzat për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Ndërkohë, mbrojtja e mjedisit dhe natyrës renditet ndër fushat me progresin më të kufizuar. Komisioni shpreh shqetësime për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjen e ligjit për investimet strategjike, ndërsa kërkon zbatimin e vlerësimeve të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve publike për projektet infrastrukturore e turistike.

Në përfundim, Komisioni Evropian kërkon forcimin e kontrollit parlamentar, dialog real politik, mbrojtjen e pavarësisë së drejtësisë dhe SPAK-ut, si dhe përmirësimin e llogaridhënies së institucioneve. Shqipëria synon të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027, por raporti thekson se ky objektiv kërkon zbatim të shpejtë dhe cilësor të reformave.

REKLAMË