Raporti i KE: Aksidentet në vendin e punës për vitin 2025 u rritën me 35%, dialogu social dhe inspektimet vijojnë të jenë të dobëta, kërkohet më shumë kontroll dhe mbrojtje për të drejtat e punëtorëve

206
Zona mineral-mbajtëse e Bulqizës. Foto: Sami Curri / Bulqizaime.al

Komisioni Evropian evidenton progres të kufizuar në sigurinë dhe shëndetin në punë, ndërsa kërkon më shumë burime për inspektoratin dhe masa më efektive për parandalimin e aksidenteve. Në sektorin minerar, Shqipëria vlerësohet për potencialin e depozitave të kromit, titanomagnetitit, nikelit dhe bakrit, por raporti nuk jep të dhëna për kushtet e punës, aksidentet apo prodhimin në miniera.

Siguria në vendin e punës dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve mbeten sfida për Shqipërinë, ndërsa gjatë vitit 2025 rastet e klasifikuara si aksidente në punë u rritën me 35%. Komisioni Evropian, në raportin për Shqipërinë 2026, vlerëson se progresi në fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë ka qenë i kufizuar dhe kërkon forcimin e inspektimeve, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe marrjen e masave më efektive për parandalimin e aksidenteve.

Sipas raportit, rritja e aksidenteve nxjerr në pah problematikat që lidhen me sigurinë në vendin e punës dhe nevojën për të identifikuar sektorët me rrezik të lartë. Megjithatë, Komisioni nuk i emërton sektorët ku janë regjistruar më shumë aksidente dhe nuk jep të dhëna të veçanta për industrinë minerare. Raporti thekson se 96% e aksidenteve janë raportuar nga punëdhënësit.

Në këtë drejtim, KE vëren se përdorimi i Matricave të Vlerësimit Inteligjent të Rrezikut nga inspektorati është rritur nga 75% në 84%, por kapacitetet e Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Sociale duhet të mbeten prioritet. Komisioni kërkon më shumë burime për strukturat inspektuese dhe reagim efektiv ndaj shkeljeve të të drejtave të punës.

Gjatë vitit 2026 janë ndërmarrë disa hapa institucionalë, përfshirë krijimin në shkurt të Këshillit Ndërministror për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, si dhe të rrjetit të koordinatorëve për këtë fushë. Ndërkohë, Strategjia për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë 2025–2030 është në zbatim, por rezultatet e deritanishme vlerësohen ende të kufizuara.

Dialog i dobët mes punëdhënësve, punëmarrësve dhe qeverisë

Raporti ndalet edhe te dialogu social dhe roli i sindikatave, duke vënë në dukje se konsultimi tripalësh mes qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve mbetet kryesisht në nivel informimi. Edhe dialogu dypalësh nuk është mjaftueshëm i zhvilluar, ndërsa Këshilli Kombëtar i Punës është mbledhur vetëm një herë gjatë periudhës së raportimit.

Komisioni kërkon forcimin e kapaciteteve të partnerëve socialë dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes institucioneve të tregut të punës. Në vlerësimin e tij, zbatimi i të drejtave të punëtorëve kërkon jo vetëm kuadër ligjor, por edhe mekanizma funksionalë për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve.

Në tregun e punës, raporti evidenton rritjen e pagës minimale me 25%, në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, si dhe rritje nominale mesatare të pagave prej 9.8%. Megjithatë, puna informale vijon të jetë e përhapur. Rreziku i varfërisë ose përjashtimit social prek 40.5% të popullsisë, pothuajse dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian, prej 24.2%.

Një tjetër problem është niveli i ulët i shpenzimeve sociale, që arrijnë në 9.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 20.5% në BE. Raporti vëren gjithashtu se emigrimi i punëtorëve të kualifikuar dhe rënia demografike po zvogëlojnë fuqinë punëtore në vend.

Kromi dhe mineralet kritike, potencial për integrim në zinxhirin e furnizimit të BE-së

Për sektorin minerar, raporti nuk ka një kapitull të veçantë dhe nuk trajton në mënyrë specifike kushtet e punës, sigurinë në miniera apo aksidentet në këtë industri. Megjithatë, në pjesën për sigurinë dhe rezistencën ekonomike, Komisioni Evropian e vlerëson Shqipërinë si një vend me potencial të rëndësishëm për t’u integruar në afatgjatë në zinxhirët e furnizimit të Bashkimit Evropian me lëndë të para kritike.

Në këtë kontekst përmenden depozitat e mëdha të titanomagnetitit, që përmbajnë titan dhe vanad, si dhe rezervat e kromit, të cilat konsiderohen një aset strategjik. Raporti përmend gjithashtu kapacitetet e minierave të bakrit, një depozitë nikeli dhe disa depozita të vogla e të mesme të hekur-nikelit që aktualisht shfrytëzohen.

Mbështetja për këtë sektor përfshihet edhe në programimin financiar të Bashkimit Evropian. Sipas aneksit të raportit, paketa IPA III për periudhën 2025–2027 parashikon 100 milionë euro për Shqipërinë, ndër të tjera edhe për fushën e lëndëve të para kritike. Megjithatë, dokumenti nuk jep hollësi për projektet konkrete, ndarjen e fondeve apo investimet që do të mbështeten në industrinë minerare.

REKLAMË