Policia sekuestron afro 25 mijë paund në Pikën Kufitare të Bllatës, procedohen penalisht dy persona

1533
Paratë e sekuestruara. Foto: DVP Dibër

Policia Kufitare dhe dogana e Bllatës sekuestruan afro 25 mijë paund të padeklaruara, të fshehura në një automjet i cili vinte nga Maqedonia e Veriut.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Bllatë, në bashkëpunim dhe me autoritetet doganore Bllatë, bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të shumave monetare, lëndëve narkotike, armëve të zjarrit dhe goditjen e çdo paligjshmërie tjetër kufitare. Në këtë kuadër, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi Q7”, me drejtues shtetasin E.P. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, në çantat personale të shtetasve E.P., dhe B.S., (bashkëshortë), shërbimet e Policisë gjetën shumën e 25,070 paund, të padeklaruara, konform ligjeve në fuqi.”, njoftoi Policia e Dibrës.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, strukturat hetimore të DVP Dibër, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E.P., 30 vjeç, dhe B.S., 30 vjeçe, banues në Britaninë e Madhe, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Transporti i parave “cash” të fshehura në automjete është identifikuar si një metodë për të sjellë në vend paratë që vijnë nga aktivitet e paligjshme, si trafiku i lëndëve narkotike, për të cilin krimi i organizuar shqiptar vitet e fundit është identifikuar si një faktor gjithnjë e më shumë në rritje në Britaninë e Madhe.

Në qershor 2018 në Portin e Durrësit u kap sasia më e madhe parave të padeklaruara, 3.4 milion euro të fshehur në një automjet të markës “Toyota”, modeli “Auris”, por hetimi u shfry kur prokuroria pranoi të mirëqenë alibinë e një shtetasi gjerman që deklaroi se ishte zotëruesi i parave dhe se po i sillte me ambicien për të blerë toka në bregdetin shqiptar.