Pas vdekjes së 7-vjeçares në Gjoricë, kërkohet rinegocimi i marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për shkarkimet në Drinin e Zi

478
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, ka mbledhur Task Forcën e Turizmit, ku morën pjesë përfaqësues të bashkive Dibër dhe Bulqizë, Policisë së Shtetit, Policisë Kufitare dhe operatorëve turistikë që zhvillojnë aktivitet përgjatë Drinit të Zi.

Tragjedia e ndodhur javën e kaluar në Gjoricë të Poshtme të Bulqizës, ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare pasi u mor nga rrjedha e lumit Drini i Zi, ka rikthyer në qendër të vëmendjes mënyrën e menaxhimit të prurjeve të lumit dhe mungesën e informacionit për shkarkimet e ujit nga hidrocentralet në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Pas ngjarjes, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, ka mbledhur Task Forcën e Turizmit, ku morën pjesë përfaqësues të bashkive Dibër dhe Bulqizë, Policisë së Shtetit, Policisë Kufitare dhe operatorëve turistikë që zhvillojnë aktivitet përgjatë Drinit të Zi.

Sipas prefektit, gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar tre raste të rrezikimit të jetës së personave që frekuentojnë zonën e lumit, kryesisht në segmentin nga Gjorica deri në Urën e Topojanit. Në këto raste, sipas tij, ndërhyrja e strukturave shtetërore, banorëve dhe operatorëve turistikë ka bërë të mundur shpëtimin e mbi 20 personave.

Por ngjarja e fundit, ku humbi jetën 7-vjeçarja nga Gjorica, ka ngritur shqetësimin për ndryshimet e menjëhershme të nivelit të ujit dhe mungesën e një informacioni të qartë për regjimin e shkarkimeve nga diga e hidrocentralit në Dibër të Madhe, në Maqedoninë e Veriut.

Shehu deklaroi se, sipas informacionit të tij, operatori që menaxhon hidrocentralin lëshon ujë në orare të ndryshme për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa banorët dhe institucionet në anën shqiptare nuk kanë informacion të rregullt për kohën kur ndryshon regjimi i prurjeve.

Sipas tij, në të kaluarën banorët e zonës kishin njohuri mbi orare të përafërta të lëshimit të ujit dhe merrnin masa për të shmangur rrezikun, ndërsa aktualisht ky informacion nuk është i disponueshëm për publikun.

Prefekti bëri të ditur se i është drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe Ministrisë së Brendshme për të kërkuar informacion mbi marrëveshjen që rregullon menaxhimin e ujërave mes dy vendeve.

Sipas tij, ekziston një marrëveshje e vitit 1956 mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, e cila trajton çështje që lidhen me menaxhimin e ujërave dhe ndikimet e shkarkimeve nga diga. Shehu deklaroi se pala shqiptare ka vënë në dijeni autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe pritet një takim në nivel zëvendësministrash për të diskutuar rishikimin ose rinegocimin e marrëveshjes.

Ndërkohë, Task Forca e Turizmit ka vendosur marrjen e masave të menjëhershme për rritjen e sigurisë përgjatë zonave të frekuentuara të lumit. Bashkive, Policisë së Shtetit dhe operatorëve turistikë u është kërkuar vendosja e tabelave paralajmëruese në zonat ku zhvillohet turizëm dhe ku familjet frekuentojnë brigjet dhe ishujt e vegjël të krijuar në shtratin e lumit.

Masat synojnë që vizitorët të informohen se niveli i ujit mund të ndryshojë në një kohë të shkurtër, pavarësisht gjendjes së qetë që lumi mund të ketë në momentin kur ata hyjnë në të ose qëndrojnë pranë tij.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, Sokol Sava, i cili deklaroi se operatorët turistikë që veprojnë në zonë janë përballur edhe më herët me raste të rrezikimit të personave në lumë.

Sipas tij, Drini i Zi është frekuentuar gjithnjë e më shumë jo vetëm për rafting, por edhe për turizëm ditor dhe piknikë familjarë, pasi përgjatë rrjedhës së tij janë krijuar zona të frekuentuara për pushim dhe rekreacion.

Megjithatë, ai theksoi se një nga shqetësimet kryesore mbetet mungesa e informacionit për kohën kur menaxhohet dhe shkarkohet uji nga veprat hidroenergjetike në Maqedoninë e Veriut.

Sava bëri thirrje që personat që frekuentojnë lumin, veçanërisht familjet dhe turistët që nuk e njohin zonën, të kërkojnë informacion pranë operatorëve turistikë lokalë dhe personave që njohin kushtet e lumit.

Ndërkohë, autoritetet vendore presin që, përveç sinjalistikës në terren, të krijohen edhe mënyra të tjera informimi përmes faqeve online dhe strukturave që promovojnë turizmin në zonë.

Ngjarja e fundit në Gjoricë, por edhe rastet e tjera të rrezikimit të jetës të regjistruara gjatë muajve të fundit, kanë rikthyer nevojën për një mekanizëm të përhershëm paralajmërimi për ndryshimet e menjëhershme të prurjeve të Drinit të Zi, në një kohë kur lumi po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga banorët dhe turistët.

REKLAMË