Nis puna për rehabilitimin e rrugës që lidh Bulqizën me Martaneshin

145
Punimet për rehabilitimin e rrugës që lidh Bulqizën me Martaneshin. Foto: Bulqizaime.al

Ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës që lidh Bulqizën me Martaneshin. Ky segment rrugor, me një gjatësi prej 16.5 km, ka amortizim të konsiderueshëm disavjeçar, si rezultat i përdorimit nga mjetet e rënda të ngarkuara me krom dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Referuar dokumenteve të tenderit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, rruga do të përmirësohet dhe do të përfshihet në kategorinë C3 të rrugëve interurbane dytësore. Investimi për këtë rrugë do të kap vlerën e afro 10.9 milionë euro, fituar nga bashkimi i tre kompanive: “BE-IS”, “ERGI” dhe “VELLEZERIT HYSA” sh.p.k. Kontrata për këtë projekt pritet të ketë një afat zbatimi prej 13 muajsh.

Vetëm 16.5 km e gjatë, rruga Krastë-Qafë Buall, në afërsi të Bulqizës, është kthyer në makthin e banorëve të qytezës së vogël të Krastës. E hapur në vitet `80, atëherë kur industria e nxjerrjes së kromit e ktheu Krastën në një qytet, ku gëlonte jeta, mbi këtë rrugë nuk është vënë dorë që prej 40 vitesh.

Si pasojë ajo është krejtësisht e amortizuar, me rrëshqitje dherash, gropa të mëdha, duke u kthyer në rrezik serioz për ata që kalojnë në këtë rrugë. Dhjetëra lapidarë që ndodhen përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor, dëshmojnë se Qafë Buall-Krastë është kthyer në një “rrugë vdekjeje” dhe ka izoluar krejtësisht banorët e Martaneshit. Për shkak të amortizimit, një drejtuesi automjeti i duhen së paku 1 orë kohë për t`i përshkuar 16.5 km e kësaj rruge.

I pasur me burime natyrore, në Martanesh ushtrojnë aktivitetin dhjetëra subjekte minerare pesë HEC-e, si dhe disa fabrika të përpunimit të kromit, të cilat derdhin çdo vit miliarda lekë taksa në buxhetin vendor dhe atë qendror.