Mbërrijnë kongresmenët amerikanë, kërkojnë zgjidhjen e ngërçit politik

284

Ngërçi politik ku është futur Shqipëria që pas nisjes së protestës së PD në 18 Shkurt dhe bllokimit të Reformës në Drejtësi ka bërë që 9 kongresmenë amerikanë të zbarkojnë në Tiranë për të negociuar me palët.

Delegacioni me 9 kongresmenët kryesohet nga Bob Goodlate, i cili është kryetar i Komisionit të Drejtësisë.

Vizita e amerikanëve në Shqipëri nisi sot me një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë në vilën qeveritare në Bllok.

Takimi me kreun e shtetit ka zgjatur rreth orë dhe në qendër të tij ka qenë zhbllokimi i ngërçit politik për të nisur zbatimin e Reformës në Drejtësi, shkruan shqiptarja.com

Pas Nishanit, delegacioni nga kongresi amerikan ka takuar kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, njëkohësisht President i zgjedhur.

Edhe me Metën është diskutuar për drejtësinë dhe zgjidhjen e ngërçit që do të bënte të mundur pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit. Në takim është i pranishëm edhe Donald Lu.

Në axhendën e delegacionit amerikan janë parashikuar edhe takime të tjera me zyrtarë të shtetit shqiptar.

Në axhendën e delegacionit amerikan është parashikuar një takim edhe me kreun e PD, Lulzim Basha, në përpjekje për ta bindur që të futet në zgjedhje.

Në fund te axhendës amerikanët do të zhvillojnë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë theksojmë se kjo do të jetë një javë intensive, pasi të hënën që vjen në Tiranë do të vijë edhe zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee.

Mbetet për t’u parë nëse Hoyt Brian Yee do të vijë me një marrëveshje në Tiranë, për t’ua paraqitur palëve apo do t’u kërkojë të pranojnë draftin e evropianëve, i cili u refuzuar nga Lulzim Basha dy javë më parë.