Mazhoranca nuk tërhiqet nga harta me 46 bashki, Mazniku: Bashkimi nuk do t’i largojë shërbimet nga qytetarët

200
Përfaqësuesi i PS dhe PD në komisionin e reformës territoriale.

Pavarësisht kundërshtimeve që kanë shoqëruar propozimin për hartën e re administrativo-territoriale, mazhoranca socialiste nuk duket se do të tërhiqet nga projekti që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Në një deklaratë për Vizion Plus, Arbian Mazniku, një nga hartuesit e reformës nga Partia Socialiste, pranoi se kundërshtimet nga qytetarët dhe komunitetet që preken nga shkrirja e bashkive ishin të pritshme. Megjithatë, ai argumentoi se qëllimi i reformës është përmirësimi i shërbimeve publike, rritja e investimeve dhe administrimi më efikas i territorit.

Sipas Maznikut, bashkimi i bashkive nuk do të thotë largim i shërbimeve nga qytetarët drejt qendrave të reja administrative. Ai deklaroi se shërbimet që sot ofrohen në qytete apo njësi administrative nuk do të zhvendosen automatikisht dhe se reforma nuk do të ndryshojë afërsinë e qytetarëve me shërbimet vendore.

Mazniku argumentoi gjithashtu se bashkitë më të mëdha mund të kenë më shumë kapacitete për investime dhe zhvillim, duke sjellë si shembull zona që, sipas tij, kanë përfituar në infrastrukturë dhe turizëm pas bashkimit me bashki më të mëdha.

Qëndrimi i mazhorancës vjen në një kohë kur në Klos kundërshtimi ndaj reformës është bërë i dukshëm si në nivel qytetar, ashtu edhe institucional.

Projektligji i depozituar në Kuvend nga Partia Socialiste parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Nëse drafti miratohet, Qarku Dibër do të kalojë nga katër bashki në tre: Dibër, Bulqizë dhe Mat.

Propozimi i PS për njësitë vendore në qarkun Dibër

Në modelin e ri, Klosi nuk do të humbasë statusin e qytetit, por nuk do të jetë më bashki më vete. Ai do të funksionojë si një nga qytetet përbërëse të Bashkisë Mat, së bashku me Burrelin.

Por gjatë ciklit të dëgjesave publike të zhvilluara në Xibër, Gurrë, Suç dhe qytetin e Klosit, pjesa dërrmuese e qytetarëve që morën pjesë në konsultime u shprehën kundër bashkimit me Matin dhe kërkuan ruajtjen e Klosit si bashki më vete.

I njëjti qëndrim u reflektua edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Klosit. Nga 13 këshilltarët e pranishëm, 12 votuan kundër reformës që parashikon bashkimin e Klosit me Matin, ndërsa një këshilltar abstenoi. Asnjë prej këshilltarëve të pranishëm nuk votoi pro.

Kështu, ndërsa në Klos qytetarët dhe Këshilli Bashkiak kanë dalë kundër humbjes së statusit të bashkisë, deklaratat e përfaqësuesve të mazhorancës tregojnë se kundërshtimet lokale nuk kanë ndryshuar, të paktën deri tani, qëndrimin për hartën e re territoriale.

Reforma Administrativo-Territoriale pritet të kalojë për debat në Kuvend gjatë sesionit të ri parlamentar. Harta e re synohet të miratohet gjatë vitit 2026, për të hyrë në fuqi në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

REKLAMË