KQZ “rrëzon” Berishën, regjistron PD-në e përfaqësuar nga Alibeaj në zgjedhjet vendore

883
Sali Berisha gjatë një deklarate për mediat. Foto: PD

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, regjistroi sot Partinë Demokratike nën përfaqësimin e drejtuesit të deleguar, Enkelejd Alibeaj si konkurruese në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendoi regjistrimin në zgjedhje me të njëjtin emërtim subjekti.

Pasi dëgjoi për afro dy orë përfaqësuesit ligjorë, që mbrojtën dy kërkesat me të njëjtin emër subjekti, komisioneri i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të pranojë kërkesën e paraqitur nga zoti Alibeaj, i autorizuar si drejtues nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Komisioneri Celibashi theksoi se kërkesa e paraqitur nga zoti Alibeaj plotëson kriteret dhe është e bazuar në ligjin për partitë politike dhe në regjistrimet e gjykatës së Tiranës.

Ai la 48 orë kohë për plotësimin e detajeve në dokumenta, që u vërejtën si paqartësi.

Ndërsa kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha u rrëzua, sepse nuk bazohej në ligj dhe nuk kishte regjistrime certifikuese nga gjykata.

Përfaqësuesit ligjorë përsëritën para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të njëjtat argumentime, që kanë shfaqur edhe në përballjet e tyre përpara gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit.

Apeli ktheu për rigjykim në shkallën e parë çështjen e përfaqësimit të Partisë Demokratike, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm, që njihte ish kryeministrin Berisha si kryetar të kësaj partie.

Partia Demokratike është zhytur prej disa kohësh në një krizë përfaqësimi, qyshkur drejtuesi i saj Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, sapo ky i fundit u përcaktua, së bashku me familjen, nga sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, si i pa përshtatshëm për të vizituar SHBA-të për shkak të korrupsionit domethënës dhe cënimit të demokracisë.

Zoti Basha, deklaroi atëherë se Partia Demokratike nuk do të mbante kurrë në radhët dhe forumet e saj persona të shpallur non grata nga SHBA-të, aleate strategjike të saj dhe të Shqipërisë.

Ish-kryeministri Berisha e hodhi poshtë si të pabazuar në prova përcaktimin nga SHBA-të dhe nisi një lëvizje për t’u kthyer në krye të Partisë Demokratike, duke sulmuar zotin Basha si një bashkëpunëtor të kryeministrit socialist Edi Rama.

Konflikti në gjirin e PD-së kulmoi me një sulm masiv të dhunshëm një vit më parë të mbështetësve të ish kryeministrit Berisha ndaj selisë qendrore të partisë, i cili u frenua falë ndërhyrjes së policisë.

Zoti Basha ia ka deleguar funksionet drejtuese të partisë kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, ndërsa të dy palët kanë zhvilluar kongrese për të zotëruar përfaqësimin e partisë, dokumente të cilat tani janë ende në gjykatë.

Berisha mbetet pa vulë

Emri, logoja dhe vula e Partisë Demokratike duket se i shpëtuan nga duart ish-kryetarit të saj Sali Berishës të premten pasi Gjykata e Apelit vendosi në mënyrë dramatike të zhbëjë një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Tiranës dhe të kthejë çështjen për rishqyrtim, gjë që i lë në dorë markën dhe teorikisht edhe zyrat, grupit të demokratëve që kundërshtojnë Berishën.

Çështja mbetet pa një zgjidhje përfundimtare pasi vula pritet të shqyrtohet sërish në të ardhmen në gjykatën e faktit. Avokatët e grupit kundërshtar të Berishës deklaruan se tani Partia Demokratike do të regjistrohet për zgjedhjet vendore, supozohet, me kandidatë të ndryshëm nga ato të zgjedhur nga Berisha, i cili ka kontrolluar de fakto zyrat e PD-së dhe duket se gëzon mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të anëtarëve të partisë, por jo vulën.

Sali Berisha akuzoi Ramën si përgjegjës për vendimin e Gjykatës së Apelit. Ai deklaroi se do ta kapërcejë këtë vështirësi pavarësisht se ligjërisht, puna e tij e një viti për të rrëmbyer partinë nga pasardhësit e tij të cilët e përzunë, duket se u zhbë. Berisha nuk dha shpjegime se çfarë kishte ndër mend të bënte pas kësaj, ndërsa një parti tjetër opozitare, me të cilën ai ka nënshkruar marrëveshje për aleancë, Partia e Lirisë e Metës, është regjistruar në zgjedhje dhe ka gjasa do t’i shërbejë atij të kandidojë kandidatët e vet.

Konflikti mes dy grupimeve lindi në shtator të vitit 2021, kur ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pasi ky i fundit u emërtua si person i përfshirë në korrupsion madhor nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

I zemëruar, Berisha nisi një fushatë të cilën e emëroi “Rithemelimi”. Fushata kulmoi në janar të këtij viti me një sulm fizik kundër selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, e cila u pasua nga ndërhyrja e policisë. Pas sulmit, kryesia e PD-së vendosi përjashtimin e Berishës dhe mbështetësve të tij nga partia.

Berisha ndërkohë vijoi planet e veta për të thirrur një kongres jashtë strukturave ekzistuese për ta “Rithemeluar” partinë dhe për të marrë kryesinë e saj. Ai efektivisht mori kontrollin e zyrave qendrore, ndërsa në prill 2022, një gjyqtar në Gjykatën e Tiranës njohu si të vlefshme zgjedhjet dhe kongresin e tij, duke i dhënë praktikisht atij partinë.

Grupi kundërshtar me të u dobësua më tej pas zgjedhjeve të pjesshme për pushtetin vendor në mars ku kandidatët e tyre dolën në shumicën e garave në vend të tretë pas kandidatëve të Berishës. Kandidati i Berishës për Shkodrën Bardh Spahia arriti të fitojë garën pavarësisht përçarjes së opozitës.

Pas disfatës, kryetari i PD-së Lulzim Basha dha dorëheqjen dhe partia i kaloi në dorë kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, i cili është kryetar në detyrë dhe duhet të organizojë zgjedhjet për struktura të reja drejtuese. Gati një vit më pas, një pjesë e kundërshtarëve të Berishës janë afruar me të duke hequr dorë nga kauza kundër si e pashpresë ndërsa Berisha organizoi fushata propagandistike për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardshme për pushtetin vendor.

Zgjedhjet e pushtetit vendor janë përcaktuar për në 14 maj. Sipas gjasave, opozita do të garojë në dy grupime.