Konsultimi publik për parkun fotovoltaik në Okshatinë të Shupenzës, mbahet jashtë orarit të planifikuar dhe pa njoftuar banorët

627
Njësia administrative Shupenzë, fshati Okshatinë. Foto: Bulqizaime.al

Konsultimi publik për projektin më të madh në fushën energjisë elektrike fotovoltaike në zonën e Bulqizës, me vendndodhje në fshatin Okshatinë të njësisë administrative Shupenzë, u mbajt jashtë orarit të planifikuar dhe pa njoftuar banorët. Referuar të dhënave të bëra publike në faqen zyrtare të Bashkisë Bulqizë, këtë të hënë në orën 16:00 në fshatin Okshatinë të Shupenzës do të zhvillohej konsultim publik lidhur me dhënien në përdorim të afro 40 hektarëve tokë të fondit pyjor – kullosor tek kompania “Dani Energy 2023”. Por pa njoftuar banorët, mediat dhe palët e tjera të interesuara, dëgjesa ishte zhvilluar me “urgjencë” në orën 11:00 paradite.

Kontaktuar me telefon nga Bulqizaime.al, zëvëndës kryetari i Bashkisë Bulqizë, Haxhi Pulja tha se dëgjesa nuk do të zhvillohej në orën 16:00, ndryshe nga sa ishte njoftimi zyrtar, pasi ishte mbajtur në orën 11. “E kanë zhvilluar në orën 11 sepse kështu i kishin rrethanat. Por për këtë duhet të flasësh me sekretarin e këshillit sepse ai e ka kompetencë” tha Pulja.

Tre javë më parë, Këshilli Bashkiak i Bulqizës e kishte shtyrë dhënien me qira të 40 hektarëve të fondit pyjor dhe kullosor tek kompania “Dani Energy 2023”, për mos ndjekien e hapave ligjorë si dhe dëgjesës publike në kundërshtim me projektin që ishte depozituar në bashki.

Referuar projekt-vendimit dhe akteve të vendosura në faqen e bashkisë, toka synohet të përdoret për ndërtimin e një parku fotovoltaik me fuqi prej 40MW. Në kërkesën e paraqitur në janar 2024, dëgjesa publike ishte mbajtur më 2 dhjetor 2023, ndërsa kërkesa për dhënien me qira të tokës në bashki është bërë në datën 11 dhjetor 2023. Në atë dëgjesë kishin firmosur në listë prezencë për dakordësinë e ndërtimit të parkut fotovoltaik vetëm 7 persona. Fshati Okshatinë në Shupenzë, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 kishte në total 1135 zgjedhës në listë, duke qenë një ndër zonat më të populluara.

Kontaktuar me telefon nga Bulqizaime.al, Arjan Hoxha anëtar i Këshillit Bashkiak Bulqizë tha se kishte qenë prezent në konsultimin e mbajtur në orën 11. Lidhur me mos respektimin e orarit për zhvillimin e saj, Hoxha tha se këtë ja kishte kërkuar me urgjencë zëvëndës kryetari i Bashkisë Bulqizë, Haxhi Pulja. “Mua më ka marrë në telefon zëvëndës kryetari i bashkisë, Pulja dhe më tha se në orën 11 duhet të jesh në dëgjesë. Unë e them drejt. Kam qenë në Librazhd dhe kam ardhë në mbledhje. Ato që ishin aty kanë firmosur dhe shënimet i ka mbajtur anëtarja tjetër e këshillit, Valbona Jani bashkë me sekretarin që ishte prezent. Sa për orën, mbase ka qenë në katër. Nuk e di” tha Hoxha.

Për një ndryshim të tillë të orarit se kur duhej të zhvillohej konsultimi, Bulqizaime.al bisedoi me disa banorë të zonës, të cilët me habi than se nuk kishin asnjë dijeni që të ishte zhvilluar dëgjesë paradite apo se do të zhvillohej pasdite.

Njoftimi për konsultim publik

Mos respektimi i orarit për konsultim publik, u kthye në një lojë ping-pongu nga administrata. Kontaktuar me telefon nga Bulqizaime.al, sekretari i zgjedhur i Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi tha se përgjegjës për këtë ishin këshilltarët. “Përgjegjës për takimet janë këshilltarët. Ato na than për në orën 11 dhe kam shkuar. Unë nuk kam protokolluar gjë sepse këtë e kanë vetë këshilltarët. Gjithashtu edhe për orën e ka vendosur Arjani, sepse unë pak ditë ka që e kam marrë detyrën.” Tha Reçi.

Pas krizës energjitike nga lufta në Ukrainë, ku çmimet pësuan një rritje të shpejtë, interesi për ndërtimin e impianteve fotovoltaike është i lartë.

Sekretari i Këshillit ka për detyrë të organizojë dhe të bashkërendojë punën për konsultimin publik, njoftimet apo dëgjesat publike me qytetarët. Referuar ligjit për konsultim publik, njoftimi paraprak kryhet brenda 20 ditëve. Për aktet veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, sipas vendimit të organit publik, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 40 ditë pune nga data e njoftimit.

Konsultimi publik dhe transparenca janë elementët më të rëndësishëm në organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes vendore. Në lidhje me konsultimin publik, organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes. Ligji për vetëqeverisjen vendore detyron këshillin bashkiak dhe kryetarin e bashkisë si dy institucione në realizimin e njoftimit dhe konsultimit publik.