Klosi votoi “JO”, Mati nis konsultimet për bashkimin

277

Vetëm pak orë pasi Këshilli Bashkiak i Klosit miratoi qëndrimin kundër bashkimit me Bashkinë Mat, këta të fundit kanë publikuar kalendarin e dëgjesave publike për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.

Njoftimi vjen në një moment kur në Klos sapo kishte përfunduar cikli i konsultimeve publike në katër njësi administrative dhe në qytetin e Klosit, ndërsa Këshilli Bashkiak ka formalizuar qëndrimin e tij kundër shkrirjes së bashkisë.

Në mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë, nga 13 këshilltarët e pranishëm, 12 votuan kundër reformës që parashikon bashkimin e Klosit me Matin, ndërsa një këshilltar abstenoi. Asnjë votë nuk u regjistrua pro bashkimit.

Në fillim të mbledhjes, sekretari i Këshillit Bashkiak bëri një përmbledhje të dëgjesave publike të zhvilluara në Xibër, Gurrë, Suç dhe qytetin e Klosit, duke bërë të ditur se pjesa dërrmuese e qytetarëve që kishin marrë pjesë në konsultime ishin shprehur kundër bashkimit të Klosit me Bashkinë Mat.

Por ndërsa Klosi ka mbyllur konsultimet dhe ka dhënë qëndrimin e tij institucional, Bashkia Mat ka hapur një tjetër cikël dëgjesash.

Sipas kalendarit të publikuar, konsultimet do të zhvillohen në Macukull, Derjan, Ulez, Baz, Lis, Rukaj, Komsi dhe Burrel, në datat 4, 8, 9 dhe 10 shtator.

Reagimi i opozitës: “Një ‘PO’ nga Mati nuk mund të zëvendësojë ‘JO’-në e Klosit”

Publikimi i kalendarit të dëgjesave në Mat është shoqëruar me reagimin e deputetes së Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Denisa Vata.

Ajo ka argumentuar se Klosi është pala që humbet statusin e bashkisë dhe se konsultimet në Mat nuk mund të përdoren për të anashkaluar qëndrimin e shprehur nga qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Klosit.

Sipas Vatës, qytetarët e Matit kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimin e tyre për reformën, por një qëndrim pro bashkimit nga ana e tyre nuk mund të zëvendësojë kundërshtimin e shprehur në Klos.

Deputetja demokrate ka ngritur gjithashtu dyshime për mënyrën se si mund të zhvillohen dëgjesat, duke paralajmëruar për mundësinë e mobilizimit politik dhe pjesëmarrjes së administratës në proces.

Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se, sipas përllogaritjes së saj, 98 për qind e qytetarëve që kanë marrë pjesë në dëgjesat publike në Klos janë shprehur kundër shkrirjes, ndërsa të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Këshilli Bashkiak.

Malaj: “Klosi nuk po fshihet nga harta”

Në krahun tjetër të debatit qëndron deputeti socialist i qarkut Dibër, Agron Malaj, njëherësh ish-kryetar i Bashkisë Mat, i cili pak orë përpara votimit në Këshillin Bashkiak të Klosit publikoi qëndrimin e tij në favor të bashkimit.

Malaj argumenton se bashkimi i Klosit me Matin nuk do të thotë zhdukje e qytetit apo humbje e identitetit të tij, por krijimin e një strukture më të madhe administrative dhe ekonomike.

Sipas tij, një bashki më e madhe mund të ketë më shumë kapacitete për investime, projekte dhe administrimin e shërbimeve publike.

Në reagimin e tij, Malaj ngre pikëpyetje mbi kapacitetet e Bashkisë Klos për të përballuar nevojat për infrastrukturë, institucione arsimore, kanale vaditëse, kopshte, çerdhe dhe shërbime të tjera publike.

Ai përdor edhe numrin e bizneseve të regjistruara si argument ekonomik për bashkimin, duke deklaruar se Bashkia Mat ka rreth 800 biznese, ndërsa Klosi rreth 200.

Sipas Malajt, bashkimi me një ekonomi më të madhe mund të krijojë më shumë mundësi për investime dhe zhvillim të territorit të përbashkët.

REKLAMË