Tragjedia e ndodhur pak ditë më parë në Gjoricë të Poshtme të Bulqizës, ku një vajzë 7-vjeçare humbi jetën pasi u mor nga rrjedha e lumit Drini i Zi, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje rrezikun e vazhdueshëm që mbart kjo rrjedhë ujore për banorët dhe personat që frekuentojnë brigjet e saj gjatë stinës së verës.
Ngjarja ndodhi ndërsa pesë pjesëtarë të së njëjtës familje kishin hyrë në lumë për t’u larë. Sipas raportimeve për ngjarjen, niveli dhe forca e ujit u rritën në mënyrë të menjëhershme, duke i marrë përpara. Katër prej tyre u shpëtuan pas ndërhyrjes së forcave të policisë dhe emergjencave, ndërsa 7-vjeçarja nuk mundi t’i mbijetonte rrjedhës. Trupi i saj u gjet pas kërkimeve që vijuan deri ditën pasuese.
Tragjedia ka goditur një familje që prej vitesh është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike. Raportimet ndër vite kanë evidentuar kushtet e vështira të jetesës së familjes Daci në Gjoricë të Poshtme, e cila ka jetuar për një kohë të gjatë në varfëri dhe me mungesa të shumta ekonomike. Edhe pse më pas familja ka përfituar ndihmë dhe mbështetje për strehimin, vështirësitë ekonomike kanë vijuar të jenë pjesë e përditshmërisë së saj. Humbja e 7-vjeçares e ka rënduar edhe më tej dramën e një familjeje që prej vitesh është përballur me kushte të vështira jetese.
Rasti i Gjoricës nuk është një ngjarje e izoluar. Përgjatë viteve, lumi Drini i Zi ka qenë skenë e disa aksidenteve tragjike, kryesisht gjatë muajve të verës, kur banorë, të rinj dhe fëmijë hyjnë në ujë për t’u larë apo freskuar.
Në vitin 2015, 45-vjeçari Shkëlqim Lata humbi jetën pasi u mor përpara nga rrjedha e rrëmbyeshme e Drinit të Zi. Një vit më vonë, në gusht të vitit 2016, një tjetër i ri, 21-vjeçari Raimond Spahiu, humbi jetën në lumin Drini i Zi, ndërsa ishte futur për t’u larë së bashku me miqtë e tij.
Një nga ngjarjet më të rënda u regjistrua në vitin 2017, pranë urës së Topojanit në Shupenzë, ku një grua 55-vjeçare humbi jetën pasi hyri në lumë për të shpëtuar dy mbesat e saj të mitura, të cilat ishin marrë nga rrjedha e fortë e ujit. Fëmijët u shpëtuan me ndihmën e personave të tjerë që ndodheshin në zonë, por gruaja nuk arriti të dilte nga lumi.
Edhe në vitet në vijim janë shënuar viktima të tjera. Më 31 korrik 2020, 18-vjeçari Edison Zuna humbi jetën pranë zonës së Selenës në Dibër, pasi u mor nga rrjedha e fortë e ujit, ndërsa në qershor të vitit 2022 një 15-vjeçar humbi jetën në Potgorcë të Maqellarës, gjatë një ekskursioni me shokët e klasës. I mituri kishte hyrë në lumë për t’u larë, por nuk arriti t’i rezistonte rrjedhës.
Ngjarjet e përsëritura tregojnë një problem të vazhdueshëm në segmentet e Drinit të Zi që përshkojnë territorin e Dibrës dhe Bulqizës. Një nga faktorët kryesorë të rrezikut mbetet ndryshimi i menjëhershëm i nivelit të ujit dhe intensitetit të rrjedhës, duke krijuar situata të paparashikueshme për personat që ndodhen në shtratin apo në brigjet e lumit.
Në rastin e fundit në Gjoricë, është ngritur dyshimi se rritja e vrullshme e nivelit të ujit mund të ketë ardhur pas shkarkimeve nga hidrocentrali i Spiljes në Dibër të Madhe, në Maqedoninë e Veriut. Pas tragjedisë është rikthyer gjithashtu diskutimi mbi nevojën për një koordinim më të mirë institucional dhe paralajmërimin e komuniteteve për ndryshimet e mundshme të prurjeve në lumë.
Por rreziku nuk lidhet vetëm me rritjen e nivelit të ujit. Në disa prej zonave më të frekuentuara përgjatë lumit mungojnë sinjalistika paralajmëruese, tabelat që ndalojnë larjen në zona të rrezikshme apo masa të tjera mbrojtëse.










