Dëgjesat për reformën territoriale, në Xibër banorët njëzëri kundër shkrirjes së Bashkisë Klos: “Shërbimet largohen, jo afrohen”

156
Dëgjesa në Xibër.

Banorët e Njësisë Administrative Xibër janë shprehur kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Në dëgjesën e parë publike, të zhvilluar më 24 gusht, pjesëmarrësit që morën fjalën kërkuan ruajtjen e Klosit si njësi e pavarur e qeverisjes vendore, duke ngritur shqetësime për largimin e shërbimeve, humbjen e përfaqësimit dhe autonomisë lokale.

Dëgjesa në Xibër hapi zyrtarisht ciklin e konsultimeve që Bashkia Klos dhe Këshilli Bashkiak kanë nisur për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0. Sipas kalendarit të publikuar nga Bashkia Klos, pas Xibrit konsultimet do të vijojnë në Gurrë më 25 gusht, në Suç më 26 gusht dhe në qytetin e Klosit më 27 gusht.

Propozimi i mazhorancës për hartën e re administrative parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, ku mes 15 bashkive që humbasin statusin si njësi të pavarura është edhe Klosi, i cili propozohet të bashkohet me Bashkinë Mat. Debati për reformën u intensifikua gjatë korrikut, ndërsa në fund të muajit propozimi për bashkimin e Klosit me Matin solli reagime dhe protesta në qytet.

Nga protesta te mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit

Kundërshtimi ndaj propozimit nuk nisi me dëgjesën në Xibër. Pas publikimit të hartës së propozuar, në Klos pati reagime publike dhe protestë kundër shkrirjes së bashkisë.

Më pas, një e treta e anëtarëve të Këshillit Bashkiak kërkuan thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme për të diskutuar qëndrimin institucional ndaj reformës. Në rendin e ditës ishte parashikuar edhe shqyrtimi i një rezolute kundër shkrirjes së Bashkisë Klos.

Por mbledhja nuk u përmbyll me votimin e rezolutës.

Pas diskutimeve mes këshilltarëve dhe drejtuesve të bashkisë, u vendos që fillimisht të dëgjohen qytetarët në të gjitha njësitë administrative dhe vetëm më pas Këshilli Bashkiak të rikthehet për të mbajtur një qëndrim përfundimtar.

Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, deklaroi në atë mbledhje se projektligji i kishte mbërritur institucionit dhe se bashkia kishte një afat për të shqyrtuar propozimin, duke u zotuar se qëndrimi përfundimtar do të mbështetej edhe te mendimi i qytetarëve.

Kështu, Këshilli Bashkiak dhe Bashkia Klos vendosën të zhvillojnë së bashku dëgjesat publike, përpara se të merret një vendim institucional mbi propozimin që prek drejtpërdrejt ekzistencën e Bashkisë Klos.

Xibra e para: “Jo” bashkimit me Matin

Takimi i parë u zhvillua në Xibër dhe, gjatë diskutimeve, kundërshtimi ndaj bashkimit me Matin ishte qëndrimi dominues i banorëve që morën fjalën.

Një nga shqetësimet kryesore ishte largësia që do të krijohej mes qytetarëve dhe qendrës së re të bashkisë. Banorët sollën në vëmendje rastin e fshatit Keta dhe zonave të tjera të thella të Xibrit, duke argumentuar se në rast të bashkimit me Matin, marrja e shërbimeve në Burrel do të kërkonte më shumë kohë dhe shpenzime.

Pikërisht largimi i shërbimeve ishte një nga temat që u përsërit më shpesh gjatë diskutimeve.

Banorët argumentuan se përvoja e viteve të fundit me centralizimin e disa institucioneve dhe shërbimeve ka treguar, sipas tyre, se largimi i vendimmarrjes nga territori sjell më shumë vështirësi për komunitetet rurale.

Një prej folësve u shpreh se një bashki më e madhe nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë shërbime për qytetarët, duke ngritur pyetjen nëse Klosi do të fitonte apo do të humbiste nga bashkimi me Matin.

“Pa autonomi, komuniteti humbet kontrollin”

Një banor kundërshtoi ashpër projektin e reformës, duke e cilësuar shkrirjen e Bashkisë Klos si humbje të autonomisë vendore. Në fjalën e tij, ai iu drejtua edhe punonjësve të administratës që ishin të pranishëm në takim, duke deklaruar se, sipas tij, diskutimi nuk duhet të reduktohet te ruajtja e një vendi pune, por te e ardhmja e komunitetit.

Ai kritikoi drejtuesit politikë dhe përfaqësuesit në Kuvend, duke argumentuar se kryetarët e bashkive dhe deputetët duhet të mbrojnë interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur.

Folësi shprehu bindjen se propozimi mund të kundërshtohet edhe në rrugë juridike, duke deklaruar se shpresën e ka te Gjykata Kushtetuese.

“Pa përfaqësim dhe pa autonomi, është plaçkë tregu,” ishte një nga mesazhet që ai përsëriti gjatë fjalës së tij.

Në disa momente, drejtuesit e dëgjesës i kërkuan që të përqendrohej te mendimi konkret mbi projektligjin, por banori vijoi të argumentonte se, sipas tij, çështja e autonomisë vendore ishte pikërisht thelbi i kundërshtimit ndaj reformës.

Rruga e Arbrit dhe potenciali i zhvillimit

Një tjetër argument i ngritur nga banorët ishte potenciali që Klosi ka fituar vitet e fundit pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit.

Sipas tyre, afërsia më e madhe me Tiranën krijon mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë lokale, turizmit dhe bizneseve, ndërsa një bashkim administrativ me Matin mund të dobësojë peshën e Klosit në vendimmarrje.

Për banorët e Xibrit, zona nuk duhet të shihet vetëm përmes numrit të popullsisë apo administrimit financiar, por edhe përmes shtrirjes së saj gjeografike dhe vështirësive që qytetarët kanë për të marrë shërbime.

Këto shqetësime janë ngritur edhe në raportimet për dëgjesën, ku banorët e Xibrit kanë argumentuar se bashkimi me Matin do të rriste kostot dhe kohën e udhëtimit për qytetarët që jetojnë në fshatrat më të largëta.

Denisa Vata: “Kjo është ndarje elektorale, jo reformë territoriale”

Në dëgjesën e zhvilluar në Xibër ishte e pranishme edhe deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Dibër, Denisa Vata, e cila në një deklaratë për mediat kërkoi që Klosi të vazhdojë të jetë bashki më vete.

Sipas Vatës, katër bashkitë aktuale të qarkut Dibër – Klosi, Mati, Dibra dhe Bulqiza – duhet të ruajnë statusin e tyre aktual.

Ajo kërkoi që qeveria të paraqesë analizën ose studimin mbi të cilin është mbështetur propozimi për shkrirjen e Bashkisë Klos.

“Bashkia e Klosit duhet që të qëndrojë bashki më vete. Nuk ka asnjë nevojë të bashkohet me Bashkinë e Matit. Ose Rama dhe qeveria të na nxjerrë studimin që ka bërë për Bashkinë Klos, pse nuk duhet të jetë bashki,” deklaroi Vata.

Deputetja e PD-së e cilësoi propozimin si një “ndarje elektorale”, duke argumentuar se Bashkia Klos ka potencial ekonomik, turistik dhe një shtrirje të gjerë gjeografike që, sipas saj, duhet të merren parasysh në procesin e reformës.

Ajo solli gjithashtu shembullin e Xibrit dhe fshatrave më të largëta, duke argumentuar se për banorët e këtyre zonave udhëtimi drejt Burrelit për marrjen e shërbimeve mund të jetë më i vështirë, sidomos gjatë periudhës së dimrit.

E pyetur nëse mendon se qëndrimi i qytetarëve në dëgjesat publike do të ndikojë në vendimin përfundimtar, Vata u shpreh skeptike dhe deklaroi se mazhoranca ka mundësinë ta miratojë projektin me votat që disponon në Kuvend.

Ajo kritikoi gjithashtu deputetin Agron Malaj, duke deklaruar se, sipas saj, ai duhej të ishte i pranishëm në dëgjesë për të shpjeguar qëndrimin e tij për shkrirjen e Bashkisë Klos.

Dëgjesat vazhdojnë, vendimi përfundimtar ende nuk është marrë

Takimi në Xibër nuk solli një vendim formal të Bashkisë apo të Këshillit Bashkiak kundër reformës. Ai ishte vetëm hapi i parë i procesit të konsultimeve publike.

Në ditët në vijim, Bashkia Klos dhe Këshilli Bashkiak do të zhvillojnë dëgjesat edhe në Gurrë, Suç dhe Klos, ndërsa qytetarët kanë gjithashtu mundësi të paraqesin sugjerime me shkrim deri më 30 gusht, sipas njoftimit zyrtar të bashkisë.

Pas përfundimit të konsultimeve, pritet që Bashkia Klos të përgatisë qëndrimin e saj institucional, ndërsa Këshilli Bashkiak do të duhet të rikthehet për të diskutuar dhe vendosur mbi pozicionin përfundimtar.

REKLAMË