Dëgjesa e tretë në Suç: Debat për Bashkinë e Klosit, shumica kundër shkrirjes, por nuk mungojnë zërat pro bashkimit me Matin

275
Dëgjesa e tretë publike për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e zhvilluar në Njësinë Administrative Suç, Klos

Debati për të ardhmen e Bashkisë së Klosit ka vijuar në Njësinë Administrative Suç, ku është zhvilluar dëgjesa e tretë publike në kuadër të konsultimeve për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.

Pas takimeve të zhvilluara më parë në Xibër dhe Gurrë, ku pjesa dërrmuese e qytetarëve që morën fjalën u shprehën kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë së Klosit me Bashkinë Mat, dëgjesa në Suç solli një debat më të larmishëm. Shumica e folësve kërkuan që Klosi të ruajë statusin e bashkisë, por në takim pati edhe banorë që mbështetën krijimin e një bashkie më të madhe dhe bashkimin me Matin.

Dëgjesa u zhvillua në ambientet e shkollës “Ibrahim Tema” në Kurdari. Në hapje të takimit, drejtuesja e dëgjesës, bëri të ditur se projektligji i ardhur pranë Bashkisë Klos më 3 gusht 2026 propozon bashkimin e Bashkisë së Klosit me Bashkinë Mat, ndërsa institucionet vendore janë të detyruara të zhvillojnë konsultime publike me komunitetin. Ajo sqaroi gjithashtu se mendimet e qytetarëve do të protokollohen dhe do t’i përcillen Kuvendit së bashku me qëndrimin e Këshillit Bashkiak dhe mendimin e kryetarit të bashkisë.

Që në nisje të debatit, qytetarët sollën në vëmendje jo vetëm çështjen e reformës territoriale, por edhe problemet e vjetra të zonës, nga mungesa e përfaqësimit dhe shërbimeve deri te konfliktet për burimet ujore dhe problemet infrastrukturore.

Një nga banorët e Kurdarisë, kërkoi që diskutimi për reformën të shihej edhe në raport me mënyrën se si komunitetet lokale përfaqësohen dhe marrin shërbime. Ai ngriti shqetësime për mungesën e përfaqësimit të zonës në strukturat vendore dhe për vështirësitë që, sipas tij, hasin banorët për çështje të përditshme.

Një tjetër banor që mori fjalën, u shpreh kundër bashkimit të Klosit me Matin. Megjithëse kritikoi drejtuesit vendorë për çështje të ndryshme që lidhen me konfliktet dhe protestat e mëparshme në zonën e Kurdarisë, ai deklaroi se nuk e mbështet rikthimin e zonës nën administrimin e Matit dhe kërkoi që Bashkia e Klosit të vazhdojë të ekzistojë.

Në të njëjtën linjë u shprehën edhe disa banorë të tjerë, të cilët argumentuan se bashkia duhet të forcohet dhe jo të shkrihet. Një prej folësve theksoi potencialin bujqësor të Kurdarisë dhe kërkoi që Klosi të mbetet njësi më vete, ndërsa një tjetër e cilësoi largimin e qendrës së vendimmarrjes dhe shërbimeve drejt Burrelit si një problem për banorët e zonave më të largëta.

Argumenti i distancës dhe aksesit në shërbime ishte një nga temat që u përsërit gjatë diskutimeve. Folësit kundër shkrirjes argumentuan se, me hapjen e Rrugës së Arbrit dhe afërsinë gjithnjë e më të madhe të zonës me Tiranën, Klosi ka potencial zhvillimi dhe nuk duhet të humbasë qendrën e tij administrative.

Një prej qytetarëve u shpreh se problemet e një bashkie nuk duhet të shërbejnë si arsye për zhdukjen e saj, duke kërkuar që Klosi të fuqizohet përmes më shumë investimeve, kompetencave dhe përgjegjësive. Ai argumentoi se një qeverisje e pakënaqshme në një periudhë të caktuar nuk duhet të çojë në shkrirjen e institucionit, por në përmirësimin e funksionimit të tij.

Megjithatë, ndryshe nga dëgjesa e parë në Xibër dhe ajo e dytë në Gurrë, në Suç pati edhe zëra të hapur në favor të bashkimit me Matin.

Një prej folësve argumentoi se zona e Kurdarisë dhe Suçit ka pasur tradicionalisht lidhje me Matin dhe solli si argument edhe peticione të mëparshme të banorëve për ndryshimin e përkatësisë administrative. Sipas tij, bashkimi me një bashki më të madhe do të sillte më shumë burime dhe mundësi për zhvillimin e zonës, ndërsa kërkoi që për këtë çështje të dëgjohet drejtpërdrejt edhe vullneti i komunitetit.

Një tjetër banor u shpreh se bashkitë më të vogla kanë më pak kapacitete dhe kompetenca për të përballuar problematika të rëndësishme, duke argumentuar se krijimi i një bashkie më të madhe mund të ofrojë më shumë mundësi për administrimin e shërbimeve dhe burimeve.

Por pjesa më e madhe e diskutimeve vijoi të ishte kundër shkrirjes së Bashkisë së Klosit. Një tjetër banor kërkoi që bashkia të ruhej dhe të bëhej më funksionale, ndërsa një folës tjetër, duke iu referuar problematikave me ujin dhe rrugët, argumentoi se zgjidhja nuk është largimi i qendrës vendore, por forcimi i saj dhe rritja e përgjegjësisë ndaj komunitetit.

Dëgjesa në Suç u shoqërua herë pas here edhe me ndërhyrje dhe replika mes pjesëmarrësve. Në disa momente moderatorja kërkoi qetësi dhe paralajmëroi se diskutimi mund të ndërpritej nëse debatet dhe ndërhyrjet vazhdonin në të njëjtën mënyrë.

Takimi në Suç ishte dëgjesa e tretë e organizuar nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Klosit në kuadër të procesit të konsultimit publik. Dëgjesa e parë, e zhvilluar më 24 gusht në Xibër, u karakterizua nga një kundërshtim i qartë ndaj bashkimit me Matin, ndërsa edhe në Gurrë, më 25 gusht, pjesa dërrmuese e folësve kërkuan që Bashkia e Klosit të mos shkrihej, ndonëse pati edhe disa zëra që e mbështetën bashkimin.

Procesi i dëgjesave vijon ndërkohë me takimin e fundit të planifikuar në qytetin e Klosit, përpara se Bashkia dhe Këshilli Bashkiak të përmbledhin qëndrimet e qytetarëve dhe t’i përcjellin ato në kuadër të procedurave për shqyrtimin e Reformës Administrativo-Territoriale 2.0.

Deri tani, tre dëgjesat e zhvilluara kanë nxjerrë në pah një kundërshtim të gjerë ndaj propozimit për shkrirjen e Bashkisë së Klosit, ndërsa Suçi solli për herë të parë një debat më të ndarë, me argumente si për ruajtjen e bashkisë aktuale, ashtu edhe për bashkimin me Matin. Në të gjitha takimet, megjithatë, një pjesë e madhe e debatit është përqendruar te shqetësimi kryesor i qytetarëve: nëse një reformë e re territoriale do t’i afrojë shërbimet me komunitetin apo do t’i largojë edhe më shumë ato nga zonat rurale dhe periferike.

REKLAMË