Buxheti 2027, rreth 6 miliardë lekë për 15 bashkitë që shkrihen, Klosi përfiton 362 milionë

338
Ndarja administrative me 46 bashki

Rreth 6 miliardë lekë nga buxheti i shtetit do të shpërndahen gjatë vitit 2027 për 15 bashkitë që do të humbasin statusin e tyre pas zbatimit të reformës së re administrativo-territoriale. Sipas të dhënave të projektbuxhetit, këto njësi vendore do të vijojnë të administrojnë fondet deri në shtator të vitit të ardhshëm, ndërsa më pas financimi i mbetur dhe përgjegjësitë e tyre do t’u kalojnë bashkive të reja ku do të përfshihen.

Në total, bashkitë shqiptare pritet të menaxhojnë gjatë vitit 2027 një buxhet prej rreth 114 miliardë lekësh. Nga kjo shumë, 56 miliardë lekë parashikohen të vijnë nga buxheti i shtetit përmes transfertave, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga të ardhurat e vetë pushtetit vendor.

Nga fondi i transfertës, rreth 5.95 miliardë lekë janë parashikuar për 15 bashkitë që do të shkrihen si njësi të veçanta vendore. Në këtë listë përfshihet edhe Bashkia Klos, për të cilën janë parashikuar 362.2 milionë lekë transfertë për vitin 2027.

Sipas skemës së parashikuar, Klosi do të vijojë të administrojë fondet deri në shtator, ndërsa pas kësaj periudhe financimi i papërdorur do t’i kalojë Bashkisë së Matit, ku do të përfshihet pas zbatimit të ndarjes së re territoriale. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për 14 bashkitë e tjera që humbasin statusin.

Maliqi përfiton më shumë, Libohova më pak

Nga 15 bashkitë që do të shkrihen, Maliqi ka transfertën më të lartë të parashikuar për vitin 2027, me rreth 796.9 milionë lekë. Pas tij renditen Divjaka me 574.9 milionë lekë, Prrenjasi me 485.5 milionë lekë dhe Cërriku me 452.2 milionë lekë.

Në fund të listës është Libohova, me rreth 138.3 milionë lekë. Ndërsa për bashkitë e tjera janë parashikuar këto transferta: Selenica 429.1 milionë lekë, Dimal 428.6 milionë lekë, Patosi 416.6 milionë lekë, Rrogozhina 396.1 milionë lekë, Klosi 362.2 milionë lekë, Belshi 349.1 milionë lekë, Memaliaj 317.5 milionë lekë, Fushë-Arrëzi 299.1 milionë lekë, Poliçani 287.8 milionë lekë dhe Këlcyra 218.7 milionë lekë.

Këto fonde do të përdoren për shpenzimet dhe funksionet e pushtetit vendor gjatë periudhës kur bashkitë vijojnë të ekzistojnë si njësi administrative më vete. Pas kalimit te bashkitë pritëse, fondet e papërdorura do të transferohen sipas organizimit të ri.

Ndryshon formula e shpërndarjes së parave për bashkitë

Reforma territoriale pritet të sjellë ndryshime jo vetëm në hartën administrative, por edhe në mënyrën se si shpërndahen fondet nga buxheti i shtetit. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2027, gjatë vitit të ardhshëm parashikohet rishikimi i formulës së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë, në përputhje me ndarjen e re territoriale.

Aktualisht, shpërndarja e fondeve mbështetet në disa tregues, mes të cilëve numri i popullsisë, dendësia e saj dhe numri i nxënësve. Formula merr gjithashtu në konsideratë kapacitetin fiskal të bashkive për të gjeneruar të ardhura nga burimet e veta.

Me reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, qeveria parashikon të rishikojë këtë mekanizëm, duke synuar një shpërndarje më të drejtë të burimeve financiare dhe mbështetje më të madhe për njësitë me kapacitete më të kufizuara fiskale.

“Forcimi i mekanizmit të ekualizimit fiskal, duke marrë në konsideratë jo vetëm diferencat në nevojat për shpenzime, por edhe diferencat në kapacitetin potencial fiskal të bashkive”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit.

Në të njëjtin dokument, avancimi i decentralizimit dhe zbatimi i reformës së re administrativo-territoriale përcaktohen si prioritete për vitin 2027, me synimin për të forcuar kapacitetet administrative dhe përmirësuar ofrimin e shërbimeve vendore.

Të ardhurat e pushtetit vendor parashikohen në rritje

Për vitin 2027, të ardhurat e përgjithshme të pushtetit vendor parashikohen në rreth 58.6 miliardë lekë, me një rritje prej 1.2% krahasuar me të ardhurat e pritshme për vitin 2026.

Një kontribut të rëndësishëm në të ardhurat vendore pritet të japin taksa e pronës dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme.

Ndryshimet financiare do të shoqërojnë kështu fazën e zbatimit të hartës së re territoriale, e cila u miratua në Kuvend më 9 tetor me 85 vota pro dhe 34 kundër dhe u dekretua më pas nga Presidenti Bajram Begaj përmes ligjit nr. 100/2026. Nga 9 maji 2027, qytetarët pritet të votojnë për kryetarët dhe këshillat e 46 bashkive, ndërsa 15 bashkitë që do të shkrihen do të kenë edhe një vit të fundit buxhetor përpara se fondet dhe funksionet e tyre të kalojnë te njësitë e reja vendore.

REKLAMË