
Pas kundërshtimit të shprehur nga banorët e Xibrit, edhe dëgjesa e dytë publike për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e zhvilluar në Njësinë Administrative Gurrë, është shoqëruar me debate, shqetësime dhe qëndrime kryesisht kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Ndryshe nga dëgjesa e parë në Xibër, ku pjesëmarrësit që morën fjalën u shprehën njëzëri kundër bashkimit, në Gurrë pati edhe zëra që mbështetën idenë e një riorganizimi territorial dhe bashkimin me Matin, duke e lidhur këtë qëndrim me nevojën për më shumë funksionalitet dhe mbështetjen e reformave të qeverisë. Megjithatë, pjesa dërrmuese e folësve kërkuan që Bashkia Klos të ruajë statusin e saj aktual.
Dëgjesa pati një pjesëmarrje të konsiderueshme dhe banorët e shfrytëzuan takimin jo vetëm për të shprehur qëndrimin e tyre ndaj hartës së re administrative, por edhe për të ngritur një sërë problemesh që, sipas tyre, vazhdojnë prej vitesh në zonë. Mungesa e ujit të pijshëm dhe atij vaditës, infrastruktura rrugore dhe pabarazia në shpërndarjen e investimeve ishin ndër shqetësimet kryesore të ngritura gjatë diskutimeve.
Në disa momente pati edhe tensione të vogla dhe ndërprerje mes folësve, ndërsa diskutimi për reformën u ndërthur me akuza ndaj drejtuesve lokalë për problemet e pazgjidhura të komunitetit.
“Nuk kam ujë, nuk kam rrugë, për mua më mirë me Burrelin”
Një nga banorët e Gurrës e kundërshtoi vetë ekzistencën e modelit aktual të qeverisjes vendore, duke argumentuar se për dekada banorët e zonës nuk kanë marrë shërbimet që kanë kërkuar.
Ai renditi si probleme kryesore mungesën e ujit për vaditje, ujit të pijshëm dhe infrastrukturës rrugore, duke deklaruar se, nëse Bashkia Klos nuk ka mundur t’i zgjidhë këto çështje, ai do të preferonte bashkimin me Burrelin.
“Kërkoj ujë të pijshëm, kërkoj ujë vaditje, kërkoj rrugë. Unë këto tre gjëra nuk i kam. Për 30 vjet nuk i kam pasur. Për mua, unë kam qenë me Burrelin, unë dua të shkoj me Burrelin,” u shpreh ai.
Qëndrimi i tij ishte një nga zërat e paktë që u shprehën hapur në favor të bashkimit, duke e lidhur këtë me pakënaqësitë ndaj funksionimit dhe investimeve të deritanishme të Bashkisë Klos.
Një tjetër banor kërkoi llogari nga drejtuesit vendorë për mënyrën se si janë shpërndarë shërbimet dhe investimet gjatë viteve të fundit, duke ngritur shqetësimin se disa zona kanë përfituar ujë dhe rrugë, ndërsa të tjera kanë mbetur pa zgjidhje.
“Duhet të jepni llogari para këtij populli se çfarë i keni bërë për tre vjet. Pse dikush me ujë e dikush pa ujë? Dikush me rrugë e dikush pa rrugë?”, u shpreh një prej folësve.
Shumica: “Bashkia Klos duhet të qëndrojë”
Pavarësisht kritikave ndaj shërbimeve dhe administrimit lokal, pjesa më e madhe e banorëve që morën fjalën u shprehën kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Klos.
Një prej folësve deklaroi se kundërshtimi i tij nuk kishte të bënte me Bashkinë Mat, por me faktin se, sipas tij, Klosi ka historinë, organizimin, potencialin ekonomik dhe strukturën e nevojshme për të vazhduar si bashki më vete.
Ai argumentoi se një pushtet vendor më afër territorit ka mundësi të ushtrojë kontroll dhe të reagojë më shpejt ndaj nevojave të komunitetit.
“Për 1001 arsye Bashkia Klos nuk duhet të bashkohet me Bashkinë e Burrelit. Krahina e Klosit ka historinë e vet, ka prodhimet e veta, ka organizimin dhe drejtimin e vet,” tha ai, duke kërkuar ruajtjen e bashkisë si njësi të pavarur.
Një tjetër pjesëmarrës shkoi edhe më tej, duke deklaruar se nuk mbështet as modelin aktual të bashkive të krijuara pas reformës territoriale të vitit 2015. Sipas tij, pushteti vendor duhet të jetë edhe më afër qytetarëve, duke sjellë si shembull ish-Komunën Gurrë.
“Unë jam për komunat. Pushteti duhet të shkojë sa më afër popullit. Investimet janë më afër njerëzve dhe çdo gjë është më pranë tyre,” u shpreh ai.
“Bashkia mos të shkrihet, por të forcohet”
Në dëgjesë u ngritën gjithashtu argumente se zgjidhja për problemet e Bashkisë Klos nuk duhet të jetë shkrirja e saj, por forcimi i kompetencave dhe burimeve të pushtetit vendor.
Një nga folësit deklaroi se qeveria duhet t’u japë bashkive më shumë kompetenca, më shumë financim dhe më shumë përgjegjësi, në vend që të centralizojë shërbimet.
Ai solli si shembuj transferimin e kompetencave për ujësjellësin dhe shërbime të tjera jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të bashkive, duke argumentuar se reforma duhet të synojë forcimin e pushtetit vendor dhe jo dobësimin e tij.
“Bashkia e Klosit duhet të qëndrojë, të vazhdojë të zhvillohet dhe t’i shërbejë komunitetit. Qeveria duhet t’i shtojë shpenzimet, shërbimet dhe kompetencat e bashkive, jo t’i kthejë kryetarët në administratorë të thjeshtë,” deklaroi ai.
Një tjetër banor e përmblodhi qëndrimin e tij me thirrjen që bashkia të mos zhduket nga harta administrative, por të marrë më shumë mbështetje.
“Bashkia mos të shkrihet, Bashkia të forcohet. Klosi ka resurse, ka kuadro, ka intelektualë,” u shpreh ai.
Kritika ndaj qeverisë, thirrje për protesta
Në disa prej diskutimeve, kundërshtimi ndaj reformës u shoqërua edhe me kritika ndaj qeverisë qendrore dhe kryeministrit Edi Rama.
Një banor deklaroi se Bashkia Klos duhet të qëndrojë më afër qytetarëve dhe se vendimet për të ardhmen e saj duhet të merren duke dëgjuar komunitetin. Ai kërkoi që, nëse propozimi për shkrirjen e bashkisë vazhdon, qytetarët të reagojnë publikisht.
Një tjetër pjesëmarrës shkoi më tej duke bërë thirrje për protesta dhe bllokimin e Rrugës së Arbrit në shenjë kundërshtimi ndaj reformës.
Por dëgjesa nxori në pah edhe një kontrast të rëndësishëm mes banorëve: ndërsa shumica e folësve ishin kundër shkrirjes së Bashkisë Klos, një pjesë e tyre nuk e fshehën pakënaqësinë ndaj mënyrës se si bashkia ka funksionuar deri tani.
Pikërisht problemet me ujin, rrugët dhe investimet u përdorën nga disa banorë si argument se modeli aktual nuk ka funksionuar për të gjithë komunitetin dhe se një ndryshim administrativ mund të sjellë më shumë mundësi.
Dëgjesa në Gurrë ishte e dyta në kalendarin e konsultimeve publike që Bashkia Klos dhe Këshilli Bashkiak kanë vendosur të zhvillojnë përpara se të mbajnë një qëndrim institucional përfundimtar ndaj reformës.









