BANORËT E NJËSISË ADMINISTRATIVE FUSHË – BULQIZË, DËBOJNË KRYETARIN E BASHKISË NGA DËGJESA PËR SHFRYTËZIMIN E PYJEVE

456

Banorët e Njësisë Administrative Fushë – Bulqizë, kanë dëbuar kryetarin e bashkisë së Bulqizës dhe përfaqësuesit e firmës që kërkon të shfrytëzojë pyjet e kësaj zone. Bashkia kishte kërkuar një dëgjesë me banorët e tri fshatrave, pas protestave të vazhdueshme të këtyre të fundit për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve.

Z. Melaim Damzi shoqëruar nga Drejtori i Shërbimit Pyjor Bulqizë, përfaqësuesit e firmës dhe Njësisë Administrative, është munduar t’ju shpjegojë dobinë që do të sillte shfrytëzimi i kësaj zone pyjore.

Banorët në shenjë proteste e kanë bojkotuar takimin, duke i kërkuar zotit Damzi që të largohet menjëherë, pasi ai nuk përfaqëson interesat e tyre, por të kompanisë. Duke i shpjeguar atij se ka vite që këtë zonë e ka lënë në harresë dhe se nuk ka zhvilluar qoftë edhe një takim me banorët, ndërsa sot zhvillon dëgjesë për shfrytëzimin e pyjeve, krah kompanisë. Banorët u shprehën se sot ai duhej të kishte ardhur për të folur për investimet e munguara dhe jo për shfrytëzimin e pyjeve.

Banorët shprehen se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë prerjen e pyjeve pasi jeta e tyre është e lidhur pa zgjithshmërisht me pyjet, dhe se prerja do të shteronte ujin e pijshëm dhe vaditës.
Banorët e fshatrave Dushaj, Kodra e Danit dhe Koçaj kanë protestuar edhe më parë për ndalimin e ndërtimit të kësaj rruge që do të shfrytëzonte pyllin.

Protestat degjeneruan deri në atë pikë sa eskavatori i firmës që po tentonte të hapte rrugën u dogj, çka solli që disa banorë të procedoheshin penalisht. Bashkia Bulqizë nuk kishte zhvilluar asnjëherë dëgjesë me banorët, pavarsisht protestave të vazhdueshme të tyre.

/BULQIZA IME/

https://www.facebook.com/bulqizaime/videos/1951412008460336/