Sulmohet me eksploziv shtëpia e punonjësit të SHISH në Burrel

1024
Vendi i ngjarjes në Burrel. Foto: D. Kurti

Një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer në orët e vona të së shtunës, në derën e shtëpisë të një punonjësi të Shërbimit Informativ të Shtetit në Burrel. Nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Në njoftimit e DVP Dibër bëhet me dije se në momentin e shpërthimit, në banesë nuk ka patur njeri. “Rreth orës 23:35, në derën e banesës së shtetasit A.K., në katin e parë të një pallati, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse, nga shpërthimi i sëcilës ka vetëm dëme materiale.” thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga shpërthimi ka pasur dëme edhe në disa banesa të tjera të pallatit, ku janë thyer xhamat e dritareve.

Punonjësi i SHISH, Alfred Karaj i tha televizionit lokal “Mat TV” se ngjarja ka lidhje me detyrën, dhe se nuk ka patur konflikte të tjera. Sipas Policisë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Mat, po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Atentatet me eksploziv përdoren rëndom për shantazh në vend. Pjesa më e madhe e tyre mbeten të pazbardhura, ndërsa vetëm muajin e fundit policitë në Durrës dhe Lezhë kanë sekuestruar disa mina të telekomanduara dhe janë prangosur disa persona që i transportonin ato.