REPORTAZH/ Shkëlqimi dhe rënia e qytetit të Krastës (FOTO + VIDEO)

1897
Në foto: Ish-Fabrika e Pasurimit të Kromit, Krastë (Foto nga S. Curri)

*Nga SAMI CURRI

Erdhën të gjithë punëtorët. Shkoi ora, tani duhet të nisemi”- Këto ishin fjalët e shoferit të furgonit, të një prej subjekteve minerare që operojnë në zonën e Krastës, që e bën këtë rrugë 6 ditë të javës nga Bulqiza. Ora shënonte 06:20 e mëngjesit dhe ne sapo ishim nisur për në Krastë. Në Qafë të Buallit marrim rrugën majtas. Sapo futemi në rrugën që çon në Martanesh “tërmeti” disa ballësh e përfshiu furgonin, që futej sa në një gropë në tjetrën. Nuk ishte tërmet prej zotit, por prej robit.

Rruga që të dërgonte në Krastë, e gjatë vetëm 17 kilometra nga Bulqiza ishte katandisur si mos më keq. Që pas viteve ’90-të këtu nuk ishte hedhur as edhe një lopatë me çakëll, e jo më për shtrim me asfalt që s’mund të flitet. Si tablo e kësaj gjendje ku ndodhej kjo rrugë, shoqëroheshim në pak metra nga një labidar, të atyre që kishin humbur jetën në këtë rrugë nga aksidentet me makinë.

Në foto: Rruga që të çon në Martanesh

Aty rreth orës 07:30 të mëngjesit mbërrijmë në Krastë. Autokolonat me furgona shkonin për në drejtim të minierave, që në këtë zonë, ndryshe nga Bulqiza ishin më të përhapura. Ndërsa në qytezë kishte rënë qetësia. Syri të kapte vetëm pallate që ngjanin tamam si të dala nga një gjendje lufte që kishte zgjatur me muaj. Ndoshta një pamje e tillë mund të ishte e denjë për ndonjë qytet në Siri, Irak apo diku gjetkë, por kurrsesi për Krastën, që ashtu si Bulqiza i japin ekonomisë së vendit shumë të ardhura.

Katet e pesta thuajse ishin të rrënuara, pallate të rrjepura nga lëgështia, ashtu si një qen i zgjebosur që i kanë rënë qimet nga lëkura. Ahhhh qentë, në këtë moment u zgjova nga përhumbja ime me këtë panoramë të mërzitshme të orëve të para të mëngjesit, kur shoh që drejt meje ishin nisur një tufë qensh endacakë! Vinin tufë – tufë. Thash të largohem me vrap, por më mirë mendova të mos lëvizë, do ishte më keq për mua. Qentë endacak u treguan miqësor, kursyen një të kafshuar ndaj meje.

Këta qen kishin një burim ushqimi, ishin mbeturinat e kësaj qyteze të cilat kishin javë që nuk ishin pastruar nga bashkia Bulqizë, e ishin përhapur në të gjithë zonën. Heshtje dhe vetëm heshtje mbizotëronte në këtë qytezë, përpos ndonjë të lehure nga qentë. Pak nga pak, aty nga ora 07:50 të dëgjonte veshi ndonjë grilë dyqani a lokali që ngrihej.

Pak për Krastën të rrëfyer nga Ben Andoni

Krasta, si qendër e Martaneshit, është e shumënjohur shumë kohë para ekzistencës si qytet. Jo shumë larg këtij vendi, emisarët britanikë dhe ata komunistë, dhe pak më tutje dhe legalistët e Kupit shoshitnin planet e tyre të luftës. Britanikët për shkak të terrenit të thyer nga 600 deri më 2200 metra (atëherë dhe sot pa rrugë) e përdornin për desantim. Ashtu si edhe në kohën e komunistëve do përdorej për desantimin e njerëzve që bënë diversionin e dështuar ndaj regjimit.

Martaneshi, kufizohet në të njëjtën kohë me Tiranën, Librazhdin, Bulqizën dhe Matin dhe në shekuj u bë vend rezistence, që kuptohet vendasit e amplifikojnë. Më i njohuri ishte teqeja, ku qëndroi Babë Jashar Krena dhe në vitet e luftës Baba Faja, bektashiut komunist!!! Maja më e lartë qëndron nga larg  mali i Dhoksit, e cila është plot 2020m mbi nivelin e detit dhe pika më e ulët prej 600m është Blishta. Vetë Krasta është mbi 1000 m mbi nivelin e detit, duke e bërë atë si qytetin më të lartë të Shqipërisë.

Në foto: Baba Faja Martaneshi

Historia fillon herët me angazhime dhe çeta rezistence dhe madje edhe me një shkollë që më 1909. Por, historia e vërtetë, lidhet me vitin 1959, kur filloi të kërkohej për kromin. Më 1965, një grup minatorësh prej 11 vetësh u përpoqën të shpëtonin një mikun e tyre. Mbetën të gjithë të vdekur, për t’u kthyer në simbole të socializmit, që pesë vjet më vonë do t’i jepte jetë qytetit, kurse kujtimi i tyre, do pagëzonte minierën e re…

Teqeja e Ballinjës, dikur strehë e luftës Nacional Çlirimtare, sot është momenti i vetëm që bashkon një pelegrinazh të madh të banorëve të Martaneshit dhe të gjithë besimtarëve bektashinj që më 29 qershor të çdo viti. Është momenti i vetëm i kënaqësisë për fshatarët nga Gjoni, Lena, Peshku, Vala, Stavec, Melcuja, Ndërfushas.

Dikur krasta, në fillim të viteve ’70-të u ndërtua shumë shpejt si qytet. Për të përballuar edhe nevojat për krah pune në minerë, vinin nga e gjithë Shqipëria për të punuar në Krastë. Në atë kohë ky qytet numronte afro 18, 000 mijë banorë, dua të them në atë kohë qytet sepse kurrsesi nuk mund të thuhet një gjë e tillë sot, me jo më shumë se afro 3,500 banorë.

Infografika e numrit të popullsisë në Martanesh 

Teksa bisedoj me punonjësin e Gjendjes Civile në njësinë administrative Martanesh më tregon edhe një trend të numrit të popullsisë në këtë zonë. Duke më shpjeguar se numri i popullsië nuk mund të jetë 100% i saktë, pasi në këtë zonë vijnë edhe punëtorë sezonal në sektorin minerar, të cilët punojnë për një periudhë të caktuar kohe dhe më pas lëvizin.

Bisedës me ato pak banorë që kanë mbetur këtu në Krastë, nuk ju shpëton dot tema e ditëve të fundit për dibranët, ndërtimi i Rrugës së Arbërit. Ku në diskutim e sipër, dëgjon prej tyre se një rrugë e tillë i jep pak shpresë edhe kësaj zone, pasi shumë banorë që janë larguar do të rikthehen. Por për ta ka një problem tjetër infrastrukturor, rruga që të lidh me Bulqizën. Ato 17 km që janë një torturë e vërtetë.

Varfëria këtu duket kudo. Futem në disa prej pallateve dhe shikoj familje të cilat ishin shumë keq ekonomikisht. Siç ishte edhe ajo e Xhike Celamit, që në Krastë kishte ardhur që prej 20 vitesh. Tani jetonte vetëm me nipin e saj, pasi djali ishte larguar për të gjetur punë në kryeqytet, dhe ajo, pa pension dhe me një ndihmë ekonomike shumë të vogël, kishte gjetur si punë të mbledhurin e kokrrave të dëllenjave, që më pas i shiste tek kompanitë që mbledhin bimë medicinale. Nën Xhikja jetonte në apartamentin e një pallati që s’do të ishte habi që një ditë ta dëgjonim në lajme për ndonjë tragjedi, pasi ishte shumë i amortizuar. E më e keqja, në një zonë me sizmizitet të lartë, siç është Martaneshi.

Në njësinë administrative Martanesh trajtoheshin afro 75 familje me ndihmë ekonomike. Vite më parë numri shkonte deri në 250 familje.

Kjo zonë ishte lënë e prapambetur në çdo drejtim. Edhe pse e rrethuar nga burime të shumta ujore, Krasta nuk kishte më shumë se 2 orë ujë në ditë. Por që ta kishin këtë ujë në shtëpi, duhej të vinin në punë pompat dhe të vendosnin depozitat. Nga ujësjellësi i njësisë administrative më shpjeguan se edhe pse me shumë probleme në furnizimin me ujë, afro 70% e konsumatorëve e paguanin atë.

Investime të nisura dhe të lëna në mes, ashtu siç ndodh në të gjithë Shqipërinë, ishte rruga mbrapa të ashtuquajturës “qendër” të Krastës. Reforma administrative – territoriale e ka larguar shërbimin nga qytetari, dhe një shembull i tillë ishte Krasta. Për një dokument të thjeshtë, banorëve ju duhet të lëvizin deri në Bulqizë. Të bësh një rrugë të tillë, të duhet thuajse një ditë, pasi ka vetëm një furgon që lëviz në mëngjes dhe që kthehet në drekë. Por jo vetëm kaq, në rast se dikur komuna, me ato pak të ardhura që mblidhte, sa nga subjektet minerare dhe sa nga biznesi i zonës, kishte mundësi t’i investonte këto para për ndonjë nevojë të komunitetit, prej dy vitesh Martaneshi nuk kishte parë edhe investimin më të vogël.

Si gjigand i heshtur, në hyrje të Krastës qëndron ish-Fabrika e Pasurimit të Kromit. Dikur në këtë fabrikë kishte të punësuar afro 700 persona, ndërsa sot është kthyer në një gërmadhë. Në këtë pasuri publike, përpos se rrënojat e një godine gjigande nuk ka mbetur më asgjë tjetër. Çdo gjë është grabitur, madje edhe muret e godinave janë çarë duke marrë kabllot elektrik.

Lëmë pas Krastën, që përmes maleve hijerënda dhe të pasura me mineral, të rikthehemi sërish në Bulqizë.