Protesta para SPAK: I marrtë lumi HEC-et, jo HEC-et lumin!

232
Tubacioni i një HEC-i. Foto: Sami Curri

Banorët e Zall – Gjoçaj në Mat, që kërkojnë anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea, nesër do të protestojnë përpara zyrave të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por kjo protestë do të jetë unike për nga forma që do të zhvillohet, pasi përpara godinës së SPAK do të vendoset një monitor dhe protestuesit do të mund të futen në platformën Zoom.

Secili pjesëmarrës do të mund të mërrë fjalën, dhe e gjithë protesta do të transmetohet live në një ekran në hyrjen e SPAK.

Banorë e fshatit Zall Gjoçaj, gjatë një proteste kundër ndërtimit të HEC-eve. Foto: Sami Curri

Njoftimi i shpërndarë për mediat nga orginizatorët e protestës:

Mbrojtja e lumenjve të Shqipërisë e tejkalon natyrën e një çështjeje mjedisore apo turistike. Ajo është tashmë një çështje jetike, e sidomos për banorët e fshatrave ku të vetmin burim uji kanë rrjedhën e lumit të projektuar për tu futur në tub. Vazhdimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve edhe gjatë pandemisë, mungesa e transparencës dhe përpjekja e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për ndryshimin e kufijve të rrjetit të zonave të mbrojtura na bën të mos e ndalim rezistencën tonë. Na bën të mos e ndalim përpjekjen edhe fitorja jonë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Kompania nuk mund të prodhojë energji elektrike në park kombëtar!

Gjendja e jashtëzakonshmë e cila po bëhet normalitet tashmë ka kufizuar ndjeshëm të drejtat dhe liritë tona. Megjithatë në respekt jo për të herën parë ndaj ligjeve të shtetit shqiptar dhe të të drejtave kushtetuese, banorët e Zall Gjoçajt ftojnë të gjithë aktivistët dhe mbështetësit e kauzës në një manifestim-protestë, në rrjetin e komunikimit “Zoom”, ditën e premte, datë 19.02.2021 ora 09:00. Secili pjesëmarrës mundet lirshëm të shprehë revoltën ndaj këtyre politikave ekocidiale sikur kemi bërë në shesh prej më shumë se 2 vitesh. E gjithë kjo do të transmetohet live në një ekran në hyrjen e SPAK aty ku do të finalizohet “aksioni” ynë i rradhës.

Na ka mbetur vetëm FJALA, që nuk do ti lejoje kompanitë e HEC-eve të devijojnë lumin nga shtrati për ta çuar në turbinat e tyre.  Prezenca juaj përfaqëson Fjalën e Lirë!

I marrtë lumi HEC-et, jo HEC-et lumin!

Mbro Parkun Kombetar Zall Gjocaj!