Jashtë planeve të rindërtimit, 27 familje në Klos presin dimrin e dytë në çadra

Edhe pse ka 57 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2018 dhe ai i nëntorit të vitit 2019 dhe 27 familje që jetojnë në çadra, bashkia e Klosit nuk është përfshirë në planet e rindërtimit të qeverisë dhe banorët po presin me frikë dimrin.

881
Mehmet Kaceli, 75 vjeç, nga fshati Unjatë i Klosit jeton në çadër së bashku me djalin e tij që prej tërmetit të 26 nëntorit 2019 | Foto : Sami Curri

Mehmet Kaceli, 75 vjeç, nga fshati Unjatë i Klosit jeton në çadër së bashku me djalin e tij që prej tërmetit të 26 nëntorit 2019. Aty kanë dy divane që i përdorin për të fjetur dhe një gjysmë tavolinë të mbushur me enë kuzhine, ku ulen për të ngrënë. Një televizor i vjetër dhe mobiljet e shtëpisë janë vënë rreth e rrotull çadrës së rrëmujshme, të ngulur në një pjerrinë ngjitur me banesën e shembur nga tërmeti.

Mehmeti thotë se jeta në çadër i kujton kohën kur ishte ushtar dhe kur për dënim, i mbyllnin në çadra të ngjashme.

“Kur ne ishim ushtarë, për të dënuar të fusnin në çadër, ta mbyllnin atë dhe të linin brenda,” kujton Mehmeti, ndërsa thekson se çadra në verë është e nxehtë ndërsa nuk e dinë nëse do mund ta kalojnë dimrin e dytë brenda saj.  “Halli çfarë nuk të bën,” shtoi ai.

Ndërsa Mehmeti flet, tymi i cigareve që i pi zinxhir ngrihet në ajër si një re mbi kokë. Familja e tij është një prej 57 familjeve në bashkinë e Klosit me shtëpi të dëmtuara plotësisht nga tërmeti i 26 nëntori 2019 dhe një më i hershëm i vitit 2018 që preku zonën e Dibrës, ku po ashtu u shkatërruan edhe dy shkolla e një qendër shëndetësore.

Klosi ndryshe nga 11 bashkitë (Tiranë, Durrës, Krujë,  Kamëz, Vorë, Kurbin, Lezhë, Shijak, Mirditë, Rrogozhinë, Kavajë) të prekura nga tërmeti, nuk është përfshirë në planet për rindërtim të qeverisë.

Të mbetur jashtë këtyre projekteve, familjet me shtëpi të rrënuara në fshatrat e Klosit dhe ato të dëmtuara, i kanë varur shpresat te paratë që mund të marrin si dëmshpërblim nga pushteti vendor dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC. Megjithatë, procedurat janë vonuar për shkak të bërjes me vonesë të ekspertizës nga Instituti i Ndërtimit.

“Kjo për shkak të ngarkesës që këta kishin në qarqet e tjera të dëmtuara më shumë në tërmetin e nëntorit,” shpjegoi në një komunikim për mediat prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu.

AKMC i tha BIRN në përgjigje të një kërkesë për informim, se shkak për mospagimin ishin edhe fatkeqësitë e njëpasnjëshme dhe mungeza e fondeve për t’i përballuar ato. Agjencia shtoi se nuk kishte afat të përcaktuar për shlyerjen.

“Në lidhje me afatet e kompensimit , nuk ka një afat të përcaktua për shkak se kompensimet ndaj fatkeqësive janë proces në vazhdim”, thuhet në njoftim.

Probleme ka edhe në tre bashkitë e tjera të qarkut Dibër, ku dhjetra familje nuk janë kompensuar ende për dëmet e shkaktuara nga tërmeti që preku zonën në vitin 2018.

Familjet presin dëborën në çadra

Zile Basi dhe familja e saj jetojnë në çadra që prej tërmetit të 26 nëntorit | Foto : Sami Curri

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit me epiqendër në bregdetin e Durrësit shkaktoi 51 viktima, ndërsa 913 të tjerë u plagosën. Rreth 200 mijë banorë në 11 bashki të vendit mbetën të pastrehë,  95 mijë banesa u deklaruan të dëmtuara dhe prej këtyre, 11 mijë u shpallën të pabanueshme.

Këto dëme përfshijnë vetëm zonat më të prekura, në të cilat qeveria thotë se ka nisur edhe procesin e rindërtimit. Në qarkun e Dibrës ku rivlerësimi u bë pas përfundimit të procesit në bashkitë më të prekura, rezultojnë disa dhjetra shtëpi të dëmtuara. Në Klos e Bulqizë, që janë jashtë planit për rindërtim, dhjetra familje janë të pastreha apo po jetojnë në banesat gjysmë të shembura që u rrezikojnë jetën.

Në Klos dhe në fshatrat përreth bie çdo vit të paktën 40 centimetra dëborë. Shumë fshatra izolohen për ditë me radhë nëse dimri është i ashpër. Banorët janë gjithmonë gati për një rast të tillë, por për 27 familjet që jetojnë prej nëntorit të kaluar në çadra, ky dimër që po vjen është i frikshëm.

80-vjeçarja Hatie Basi nga fshati Plan i Bardhë i Klosit thotë se kishte fjetur vetëm dy ditë në çadër dhe është kthyer në dhomën e vetme të shtëpisë, që nuk është rrënuar plotësisht. Por edhe aty dimri ka për të qenë i vështirë.

“Ja se vera iku e kalum se ngrohtë, por tashi që po vjen dimri, ne kemi për të vdek nga i ftohti,” tha ajo. “Po na ndihmoi shteti për shpinë mirë, ose ne këtu kemi mbet,” thotë e moshuara që jeton së bashku me kunatën, Zile Basi dhe dy fëmijët e kësaj të fundit në dy çadra të ngritura në oborr. Shtëpia e tyre e përbashkët u shemb pjesërisht pas tërmetit të 26 nëntorit.

Zile Basi kujton se atëherë në shtëpi jetonin 12 frymë. Ajo me dy fëmijët, dy djemtë e rritur me nuset dhe fëmijët e tyre dhe kunata.

“Çunat (e martuar) kanë ik (pas tërmetit) se i kishin fëmijët e vegjël e s’mund të jetonin këtu,” tha ajo. “Unë në këtë çadër jetoj me dy fëmijët e vegjël, gocën dhe çunin,” shtoi Zileja, duke theksuar se me zor po jetojnë.

Gruaja thotë se çadrat ku janë strehuar prej 11 muajsh kanë krijuar tashmë probleme. Të dyja fusin ujë dhe gruaja do të blejë mushama që të ndalojë rrjedhën, por për të ftohtin nuk ka zgjidhje. Në çadra nuk ndezin dot zjarr, ndërsa temperaturat në zonë janë të ulëta.

Të tjera familje i kanë lënë çadrat dhe janë rikthyer në banesat e dëmtuara.

Mersin dhe Kimete Hoxha, nga fshati Bënjë janë të pastrehë nga tërmetit | Foto : Sami Curri

Mersim Hoxha së bashku me të shoqen, Kimeten, jeton vetëm 3 kilometra larg nga qendra e Klosit, në fshatin Bejnë. Shtëpia e tyre ndodhet poshtë një kodre nga ku mund të shohësh tërë luginën e Klosit.

Çadra është ngritur në bahçen e tij, jo shumë larg nga banesa dhe brenda ndodhen dy shtretër. Por ai me të shoqen kanë vendosur që të heqin shiritin ‘mos kalo’ me të cilin ishte rrethuar shtëpia e tyre dhe janë rikthyer në banesë. Mersimi thotë se kishte filluar vetë riparimin e çatisë, ndërsa pas një vërdallisje në bashki, kishte marrë vetëm garanci me gojë por jo leje.

“Në çadër në dimër nuk ma merr mendja se mund të rrihet, kështu që do të vazhdoj të riparoj vetë shtëpinë aq sa të mundem,” tha ai, duke shtuar se nuk ka rrugë tjetër. “Unë jetoj me 120 mijë lekë të vjetra në muaj. Nga këto 60 mijë lekë i don ilaçe vetëm gruaja, se është e sëmurë,” shtoi Mersimi, pa shpresë se ndihma do të mbërrijë shpejt.

Bashkia Klos i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se të 57 familjet që kishin humbur shtëpitë nga tërmeti trajtoheshin me bonus qiraje. Por nga këto, 27 jetonin në çadra. Të pyetur nga BIRN, banorët thanë se nuk mund të gjenin banesa me qira pasi jetojnë në fshat dhe kanë kafshë shtëpiake që nuk mund t’i braktisin.

“Tani që po vjen edhe dimri, për mu e frikshme osht,” tha Zile Basi. “Më kanë thonë gjej shpi (me qira), por unë s’mun e loj, se kam lopën, materialet janë, shpia osht, s’mun e loj,” shtoi ajo, ndërsa tregon se dy djemtë me familjet e tyre ishin vendosur në Klos e Bulqizë. Gruaja shpreson që t’i ndërtohet një dhomë, por nuk është e sigurt që kjo do të ndodhë.

Bashkia e Klosit i tha BIRN se asnjë nga familjet e pastreha nuk ishte kompensuar ende dhe po ashtu, asnjë prej tyre nuk ishte përfshirë në planet e rindërtimit deri sëfundmi.

Por prefekti i Dibrës në përgjigje të një kërkese për informacion tha se problemi me dosjet e Klosit kishte ardhur nga bashkia, pasi ato nuk kishin qenë të rregullta. “Dosjet e bashkisë Klos 173 dosje, janë akoma në bashki, të kthyera nga AKMC-ja dhe nga Prefekti, për plotësim të kërkesave ligjore, pritet dërgimi i tyre për t’u trajtuar nga AKMC me dëmshpërblim financiar”, thuhet në përgjigje.

Kompensime të pjesshme dhe paqartësi

Pallati i demtuar në Bulqizë | Foto : Sami Curri

Përveç Klosit, banesa të dëmtuara ka pasur në të gjithë qarkun Dibër. Bashkitë e këtij qarku i thanë BIRN se dëmet ishin si pasojë e një sërë tërmetesh – duke filluar nga një lëkundje sizmike që preku specifikisht zonën në gusht të vitin 2018.

Dhjetra familje me banesa të dëmtuara në bashkitë Bulqizë, Klos dhe Mat kanë marrë si ndihmë vetëm 20 për qind të dëmshpërblimit që paguhej nga bashkia, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ende nuk ka shlyer pjesën e saj të detyrimit edhe pse shumë familje kanë mbi dy vjet që prisnin dhe i kanë plotësuar dokumentet.

Bashkia Mat tha se ishin 22 familje që nuk ishin dëmshpërblyer plotësisht, ndërsa 98 e kishin marrë dëmshpërblimin pas dëmtimeve të pësuara nga tërmetet e dy viteve të fundit. Por kjo bashki dhe ajo Dibër thanë se nuk kishte probleme me strehimin, pasi bëhej fjalë për dëme të pjesshme dhe jo banesave të pabanueshme.

Në bashkinë Bulqizë, 62 familje me banesat e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2018 e në vazhdim, nuk janë dëmshpërblyer nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Ata kanë përfituar vetëm 20% të dëmshpërblimit nga fondet e bashkisë Bulqizë.

“Dhënia e dëmshpërblimit për familjet është në proces dhe para disa ditësh është diskutuar nga Drejtoria e AKMC dhe dëmshpërblimi do të jepet brenda muajit nëntor 2020,” tha bashkia e Bulqizës.

Por kjo e fundit, ende nuk po i jep dot zgjidhje problemeve të krijuara nga dëmtimi i një pallati në Lagjen e Re të qytetit, në të cilin jetojnë 8 familje. Pallati është shpallur i pabanueshëm, por familjet refuzojnë të largohen vetëm me bonusin e qirasë për një vit dhe pa garanci për atë që do të ndodhë.

Në një investigim të qershorit 2018, BIRN gjeti se pallati ishte dëmtuar pas një sërë rrëshqitjesh të tokës, për të cilat një studim i Shërbimit Gjeologjik i vitit 2017 fajësonte punimet minerare për ndërtimin e traverbankut nga kompania Albchrome. Kompania i pati kundërshtuar gjetjet e Shërbimit Gjeologjik duke fajësuar mungesën e kanalizimeve. Veç pallatit, rrëshqitja ka dëmtuar dhe disa shtëpi në zonë.

BIRN mësoi se pallati kishte pësuar dëme shtesë nga tërmetet e viteve 2018-2019. Çarjet u bënë edhe më të mëdha dhe disa banesa në katin e parë dhe të pestë u dëmtuan më shumë. Tre familje nga 11 që jetonin aty, u larguan dhe dy prej tyre trajtohen me bonusin e qirasë. Një e tretë u largua drejt Greqisë.

Bashkia Bulqizë ka nxjerrë urdhër për evakuimin e pallatit dhe të familjeve të tjera u ka premtuar bonus qiraje.

“Sipas ekspertizës së specialisteve të Institutit të Ndërtimit, kjo hyrje ka pësuar dëmtime të rënda duke u bërë e rrezikshme për të banuar nga lëvizja e tokës dhe lëkundjet sizmike,” tha bashkia nëpërmjet një njoftimi.

“Jeni të lutur që brenda datës 15 shtator 2020, të jeni larguar nga banesa,”  apeloi ajo.

Megjithë paralajmërimin e bashkisë për rrezikun që kanoset nga ndërtesa e dëmtuar, një pjesë e  banorëve refuzojnë të lëvizin pa një garanci strehimi më afatgjatë.

Die Lusha, që banon aty së bashku me djalin i tha BIRN se nuk kanë marrë një përgjigje se çfarë do të bëhet me pallatin.

“Se ja për një vit na u pagujt qiraja, po pastaj?” pyet ajo. “Erdhën një ditë e i vunë shiritin, por nuk na japin rrugëzgjidhje se ku të shkojmë e çdo bëhet me ne pastaj,” përfundoi Lusha.