Dy prokurore të Dibrës në ILD për inspektim, “pushuan” gjatë ushtrimit të detyrës

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të inspektojë shkeljet e prokuroreve të Dibrës, Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj, për zvarritje të hetimeve dhe të drejtuesit të tyre për mos ushtrim të kompetencave për të kontrolluar veprimtarinë e vartëseve.

895
Godina e Gjykatës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. Foto: Sami Curri

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të premten, më 21 maj se i është kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD të nisë procedurën e inspektimit për hetimin e dy prokuroreve të Dibrës, Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj, për zvarritje të hetimeve dhe shkelje të dispozitave ligjore.

“[…]janë konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë zvarritje të rëndë të veprimtarisë procedurale”, citohet në njoftim.

Kryeprokurori Çela i kërkon ILD-së që të verifikojë edhe veprimtarinë e drejtuesit të prokurorisë, Rifat Kojku, për mënyrën se si i ka ushtruar kompetencat për të parandaluar situatën e krijuar në zvarritjen e proceseve hetimore.

Sipas prokurorisë, prokuroja Xhoana Mehmetaj nuk ka kryer asnjë veprim lidhur me një procedim prej datës 10 korrik 2020 deri më datë 14 janar 2021, kur është trajtuar kërkesa për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kompetencën.

Prokuroria e Përgjithshme konstaton se për rreth gjashtë muaj, Mehmetaj e ka mbajtur materialin pa asnjë veprim. Ndërkohë, vërehet se procedimi ka pasur natyrë proaktive dhe ka kërkuar kryerjen e veprimeve hetimore urgjente për dokumentimin e fakteve të pretenduara.

Nga verifikimi ka rezultuar se ngarkesa e prokurores Xhoana Mehmetaj ka qenë nën mesataren vjetore për prokurorët e Dibrës.

Ndërsa për prokuroren Belina Zeneli është konstatuar se ajo ka pasur 339 materiale hetimore të paregjistruara të akumuluara prej një kohe të gjatë.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, numri i madh i materialve të paregjistruara përbënë mosangazhim procedural të prokurores Zeneli për të vendosur brenda 15 ditësh mosfillimin e apo regjistrimnin e procedimit penal.

Gjithashtu konsiderohet se, zvarritja e kryerjes së këtij veprimi procedural dhe në rastet kur mund të ketë vend për regjistrim procedimi, cënon interesat e subjekteve të interesuara pasi nuk janë kryer hetime.

Prokuroria e Përgjithshme ka gjetur se edhe drejtuesi i prokurorisë, Rifat Kojku nuk i ka ushtruar kompetencat e tij ligjore, duke sjellë si pasojë mosushtrimin e ndjekjes penale për një numër tepër të madh kallëzimesh e referimesh si dhe zvarritjen e hetimeve që kanë qenë në hetim nga prokuroret Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj.

Kjo, pasi ka rezultuar se nuk është ushtruar kontroll mbi këto materiale dhe se nuk janë nxjerrë udhëzime nga drejtuesi Rifat Kojku, për të udhëzuar prokuroret e sipërcituara për të regjistruar apo kryer hetime mbi materialet kallëzuese.

Sipas organit qendror të akuzës, nga drejtuesi nuk janë marrë masa për evidetimin e këtyre problemeve dhe adresimin e tyre në organet e ngarkuara me inspektimin e punës së prokurorëve.

Drejtuesi i Prokurorisë së Dibrës, Rifat Kojku pohoi për BIRN gjatë një komunikimi telefonik se, do të mbante qëndrim në kohën e duhur lidhur me njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Pokurorja Belina Zeneli tha se do të mbanin me patjetër një qëndrim, por sapo të njiheshin me konkluzionet e kontrollit të ushtruar. Edhe prokurorja Xhoana Mehmetaj tha se do të jepnin koment në një moment të dytë.

Më datë 6 maj, Pokurori i Përgjithshëm i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Armarda Xhaferri në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Edhe në rastin e Xhaferrit u konstatua se ajo kishte zvarritur veprimet procedurale në hetimin e çështjeve.

Më parë, më 30 tetor 2020, u kërkua inspektimi i punës së prokurorit të Pogradecit, Shkëlqim Kokona pasi drejtuesi i asaj prokurorie kishte referuar të dhëna për veprime që përbënin indicie për shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës.