Dosja 184: Gjykata u mbyll dyert gazetarëve me pretekstin e masave anti-COVID

Seanca gjyqësore ndaj tre ish-zyrtarëve dhe ish -shefit të komisariatit të akuzuar se shantazhuan zgjedhësit dhe shpërdoruan detyrën në Dibër u shty, ndërkohë që gjyqtari largoi nga salla gazetarët me pretendimin se prania e tyre nuk lejohej nga masat anti-COVID.

345
Të pandehurit Robert Aga, Drini Gjeçi dhe Nuri Meda në sallën e gjyqit në Dibër. Foto: Sami Curri.

Gjykata e Dibrës shtyu të enjten seancën e gjykimit për katër të pandehur, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër. Shtyrja u mor për shkak të kërkesave të të pandehurve.

Tre prej të akuzuarve nga prokuroria, ish-drejtori i Zyrës Arsimore Drini Gjeci, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës, për “shpërdorim detyre” dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre do të jenë në gjykim të shkurtuar.

Ndërsa ish-shefi i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” ka kërkuar gjykim të thelluar dhe do të ndahet nga çështjet e tjera. Të gjithë të akuzuarit do të kenë një avokat mbrojtës.

Gjyqtari Ardit Kuka vendosi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke larguar nga salla gazetarët që ishin duke ndjekur seancën. Kuka e arsyetoi këtë vendim me kufizimet e qeverisë për masat anti-Covid, pavarësisht se në sallë ishin më pak se 10 persona. Ndërkohë,  vetë Kuka dhe të akuzuarit gjatë zhvillimit të seancës nuk mbanin maskë.

Prokurori i çështjes, Urim Buci i tha BIRN në një bisedë telefonike se në këtë seancë kishte parashtruar kërkesat e tij ndaj gjykatës, por gjyqi ishte shtyrë të zhvillohet pas tre javësh, kjo si pasojë e kalendarit të ngjeshur që kishte gjykata.

Në seancën e ditës së enjte, asnjë nga 41 viktimat e dosjes 184 nuk morën pjesë, pavarësisht se nga gjykata tha se ishin lajmëruar.  Avokati Indrit Sefa, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në një bisedë telefonike, i tha BIRN se presin që të përfundojë gjyqi për vlerësimin e të akuzuarve, dhe se pjesëmarrja e viktimave në këtë fazë të procesit nuk është e detyrueshme.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë  u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi, pasi u mbajt për një kohë të gjatë në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas ndërroi disa herë duar prokurorësh duke e kthyer në një ping-pong mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Dibrës për çështje të kompetencës.

Robert Aga, ish-shefi i Komisariatit të Dibrës, i vetmi që ka kërkuar një gjykim të thelluar i tha BIRN me ironi se ishte i habitur që media vijonte të ndiqte këtë histori.

Më parë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër pushoi çështjen për ish-kryetarin e Bashkisë Dibër, Dionis Imerajn, që në zgjedhjet e prillit do të ishte edhe kandidat për deputet në listat e Partisë Socialiste, Korab (Imer) Lala, Afrim Mikli, Arben Keshi dhe Bekim Krashi, të akuzuar për blerje të votës.

Sipas prokurorisë, pavarësisht se është provuar shitblerja e votave në Dibër, asnjë prej të hetuarve nuk do të mbante përgjegjësi penale, pasi për shkak të kohës së kaluar, krimi është parashkruar me kalimin e afatit 3-vjeçar të ndjekjes penale. Mbrojtësit e katër të pandehurve që u dërguan në gjykim, kërkuan që dosja të pushohej edhe për ta duke pretenduar se prokuroria nuk kishte prova.