Banorët e zall Gjoçaj dërgojnë në SPAK lejimin e ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais

183
Banorët e Zall Gjoçaj mëngjesin e së hënës në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Foto: Erisa Kryeziu

Banorët e Zall Gjoçaj mëngjesin e së premtes kanë paditur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lejimin e ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea. Leja për HEC u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por banorët e zonës dhe aktivist të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin e këtyre HEC-eve.

Tauland Asllanaj, avokat i banorëve, tha për mediat se kallëzimi që kanë bërë në SPAK është ndaj zyrtarëve shtetërorë, përfshirë këtu edhe ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kompanisë Seka Hydropower. “Në bashkëpunim midis tyre kanë konsumuar disa vepra penale si “falsifikim dokumentesh”, “shpërdorim detyre” e deri tek vepra e dhunimit të varreve. E kemi sjellë në SPAK, për shkak se veprat janë kryer janë përfshirë ministri i mjedisit z. Klosi, kryetari i bashkisë Mat z. Malaj të cilët duke favorizuar një shoqëri krejtësisht për përfitime personale kanë autorizuar dhe legjitimuar shkatërrimin e një pjese të rëndësishme të parkut kombëtar.” tha Asllanaj.

Dorëzimi i padisë në SPAK nga banorët e Zall – Gjoçaj në Mat, ishte edhe një protestë përpara zyrave të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por kjo protestë ishte ndryshe nga herët e tjera, kjo kufizuar edhe nga pandemia Covid-19; përpara godinës së SPAK ishte vendosur një monitor dhe çdo kush mund të futej në platformën Zoom, për të mbajtur fjalën dhe gjithçka transmetohej direkt.

Në janar të këtij viti, Gjykata Administrative në Tiranë rrëzoi padinë e banorëve të Zall – Gjoçaj në Mat, që kërkonin anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea. Banorët kishin paditur Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, me objekt detyrimin e palëve për të ndaluar ushtrimin e aktivitetit të realizimit të këtyre HEC-ve, brenda zonës së mbrojtur. Gjyqtari Bezart Kaçkini, në vendimin e marrë deklaroi se institucionet shtetërore nuk kanë vepruar, por proceduralisht nuk mund ta pranonte këtë padi. Banorët e kanë apaluar një vendim të tillë.

Asllanaj, avokat i banorëve tha se kanë të provuar të gjitha shkeljet që janë bërë me lejet e dhëna për ndërtimin e HEC-eve dhe dëmet e shkaktuara deri më sot. “Ndërkohë që nga fotot dhe videot, por edhe nga monitorimi që ne kemi bërë rezulton që mbi 2 km në brendësi të parkut kombëtar është ndërtuar vepra e marrjes. Një vepër tërsisht me beton, janë japur rrugë, janë prerë pemë. Por kanë arritur deri në atë pikë sa nga përdorimi i lëndëve plasëse kanë dhunuar varret, një vepër që jo vetëm ligjerisht, por edhe moralisht është shumë e dënueshme.” tha ai.

Sipas Raportit për vitin 2020 lidhur me numrin e hidrocentraleve në Ballkan, përgatitur nga organizatat ndërkombëtare mjedisore “RiverWatch” dhe “EuroNatur”, në total në Shqipëri janë planifikuar 724 hidrocentrale, ku 290 janë vënë tashmë në punë, ndërsa 24 HEC-e të tjera po ndërtohen dhe 410 të tjerë janë planifikuar për t’u ndërtuar. Në shumë projekte, ndërtimi i këtyre HEC-eve ka sjellë protesta nga komunitetet që prekeshin nga marrja e ujit.