Aktivistët protestojnë ndaj mosreagimit të institucioneve për Urën e Zogut

611
Të rinjtë duke protestuar në hyrje të Urës së Zogut. Foto: Elvis Hila/BIRN

Një grup të rinjsh protestuan në hyrje të Urës së Zogut, ndërsa kërkuan reagim të institucioneve për të ndaluar shembjen e saj, disa javë pasi ura ka pësuar dëmtime të rënda. Të dielën aktivistët të drejtuar nga përfaqësues të organizatës “Sebastia” ndaluan në hyrje të urës dhe kërkuan reagim të menjëhershëm.

“Qeveria shqiptare, është ajo e cila duhet të reagonte në mënyrë të menjëhershme, por që në fakt deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret”, the Elton Laska, drejtues i organizatës “Sebastia”.

Laska tha se ata kishin tashmë një peticion me mbi 2 mijë firma, të cilin do ua nisnin institucioneve lokale dhe qendrore, në pritje të një reagimi që do të ndalojë degradimin e mëtejshëm të urës, e cila është monument kulture.  Aktivistët denoncuan edhe vijimin e shfrytëzimit pa kriter të shtratit të lumit, pavarësisht se ky shfrytëzim besohet si shkak i rrezikut që po i kanoset Urës së Zogut.

“Kjo masakër që vazhdon prej vitesh nga firma të ndryshme është shkaku i kësaj situate. Sikur shfrytëzimi pa kriter i lumit të ndalet të paktën në situatën që jemi, mund të shpëtohet Ura e Zogut nga shembja e më pas të bëhet një plan ndërhyrje”, tha Laska.

Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore  që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.

Sëfundimi të paktën një këmbë e urës u fundos dhe si shkak besohet se është shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit Mat për nxjerrje inertesh. Edhe pse prej vitesh ishte e qartë që shfrytëzimi i lumit kishte krijuar pasoja të rënda në mjedis dhe në monumentin e kulturës reagimi i institucioneve ka qenë i mefshët dhe nuk ka ndaluar atë që specailsitët e shohin si masakër.