Aksident në minierë, plagoset një minator në Bulqizë

3290
Bulqiza, Lagjia e Vjetër dhe Miniera e Bulqizës. Foto: Sami Curri

Një minator u plagos të hënën në galeritë e zonës krom-mbajtëse D në Bulqizë. Sipas komunikatës paraprake të policisë bëhet me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 12:00. “Gjatë punës është aksidentuar shtetasi V. D., i cili është transportuar drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Burime nga spitali i Bulqizës i thanë Bulqizaime.al se minatori i plagosur kishte dëmtime në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Minatori i aksidentuar është dërguar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore. Aksidenti mësohet të ketë ndodhur si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse në galeri.

Aksidentet në zonën minerare të Bulqizës janë shpeshta. Pak javë më parë në Martanesh, duke salduar brenda në galeri dhe si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori u asfiksuan tre minatorë. Pesë të vdekur dhe 28 të plagosur u raportuan gjatë vitit 2020 vetëm në minierat që ushtrojnë aktivitet në qarkun e Dibrës.