6 vjet pas reformës, bashkitë u mbushën me punonjës dhe u harruan investimet

Numri i punonjësve të njësive vendore është rritur nga viti në vit, respektivisht dhe buxhetet për pagat dhe sigurimet shoqërore.

253
Harta e Shqipërisë.

Shqipëria ka hyrë në vitin e gjashtë të zbatimit të reformës administrativo-territoriale, e cila u miratua në vitin 2014, duke rikompozuar ndarjen administrative të vendit dhe shkurtuar numrin e institucioneve të qeverisjeve vendore. Arsyeja kryesore e kryerjes së kësaj reforme lidhej me mosefiçencën e komunave dhe bashkive për kryerjen e shërbimeve komunitare. Gjithashtu, efekti financiar do të ishte i konsiderueshëm sipas përllogaritjeve të qeverisë, ku sipas ish ministrit të kohës për pushtetin lokal, Blendi Çuçi, me reformën e re administrative, shqiptarëve do u kursehej deri në 280 milionë euro për katër vjet, ku një nga pikat kryesore ishin pagat dhe sigurimet shoqërore që jepeshin për numrin e lartë të punonjësve. Por çfarë ka ndodhur gjashtë vite më vonë. Nga një analizë e Portës Vendore rezulton se numri i punonjësve të njësive vendore është rritur nga viti në vit, respektivisht dhe buxhetet për pagat dhe sigurimet shoqërore.

Si u rrit numri i punonjësve

Para vitit 2015, Shqipëria kishte në total 373 njësi të qeverisjes vendore (bashki e komuna), të cilat u reduktuan në 61 bashki me reformën territoriale. Në atë kohë, sipas shifrave zyrtare, numri i punonjësve ishte 19,625 persona. Ndërkohë, 6 vite më vonë, numri i punonjësve ka arritur mbi 31,000 persona në 61 bashkitë e vendit (shiko grafikun më poshtë).

Numri i punonjësve në 61 bashkitë e Shqipërisë

Nga ky grafik, vihet re se Bashkia Tiranë llogaritet të ketë numrin më të lartë të punësuarve, me rreth 20% të të punësuarve total, ndjekur nga bashkia Durrës me rreth 6% të tyre. Në bashkinë Elbasan dhe Fier janë të punësuar respektivisht 5% dhe 4% e të punësuarve total në nivel kombëtar.

Në raport me numrin e të punësuarve mesatar vjetor në sektorin shtetëror, ku rezulton se janë 170 mijë punonjës në total në vitin 2020, të punësuarit në 61 bashkitë në vend përfaqësuan rreth 19% ndaj totalit.

Raportet: bashkitë kanë shtuar rritur numrin e punonjësve

Në një raport të Co-Plan lidhur me analizën e të punësuarve në 61 bashkitë e vendit, është konstatuar fakti se numri i të punësuarve po rëndon financat vendore. Sipas raportit, brenda një harku kohor të 4 viteve, buxheti i bashkive që shkon për paga e sigurime është rritur nga 18.5% në 23.6% brenda një viti. “Numri i të punësuarve ndikon drejtpërdrejt dhe rëndon gjerësisht në buxhetet vendore. Nga viti në vit, pesha e shpenzimeve të personelit ndaj shpenzimeve totale paraqet rritje të vazhdueshme. Në vitin 2015, shpenzimet e personelit përfaqësonin rreth 18.5% të shpenzimeve totale të kryera nga bashkitë. Në vijim të transferimit të një sërë funksionesh të reja nga qeverisja qendrore drejt asaj vendore, pesha e shpenzimeve për personelin u rrit në rreth 23.6% ndaj totalit” – thuhet në raportin e Co-Plan.

Duke marrë shkas nga kjo, Porta Vendore pyeti 61 bashkitë sesa është përqindja e buxhetit për pagat dhe sigurimet shoqërore, krahasuar me totalin e buxhetit. Nga 61 bashki, vetëm 13 prej tyre kthyen përgjigje.

Nga grafiku vihet re se Maliqi ka vlerën më të vogël të buxhetit që shkon për paga me 32.7%, ndërkohë që Gjirokastra ka vlerën më të lartë, me 60%. Këto bashki rezulton se nuk hyjnë te bashkitë që kanë numrin më të lartë të të punësuarve, por krahasuar me buxhetet e vogla që kanë, pjesa kryesore e buxhetit shkon për paga dhe sigurime shoqërore. Ndërsa Tirana, e cila ka numrin më të lartë të punonjëve, rezulton se 47.1% e shpenzimeve shkojnë për paga dhe sigurime shoqërore.

Eficienca e bashkive

Por përballë numrit të rritur të punonjësve në njësitë e qeverisjes vendore, dhe përballë shifrave ku një pjesë e mirë e buxhetit shkon  për paga e sigurime shoqërore, lind pyetja se sa eficiente janë bashkitë e reja pas reformës administrativo-territoriale? Lidhur me këtë pyetje, Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali shprehet se sot qytetarët paguajnë më shumë taksa e tarifa, ndërsa marrin më pak shërbime. Për të argumentuar qëndrimin e tij, ai bën një krahasim në shifra të dy viteve të fundit, për gjysmën e parë të vitit. “Për 5 mujorin e vitin 2020, njësitë e vetëqeverisjes vendore në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura në masën 6 995 milionë lekë, shifër kjo që është rreth 4.3 miliard lekë më pak ose rreth 38 për qind më e ulët se vlera e të ardhurave të mbledhura gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2019. Nga ana tjetër, shpenzimet për personel në gjysmën e parë të vitit 2020 janë realizuar në masën 9.2 miliardë lekë ose 307 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Shpenzimet për investime në 61 bashkitë për gjysmën e parë të vitit 2020 ishin 47% ose 6.1% më pak. Këto shifra edhe pse janë ndikuar nga situata covid-19, nuk janë tregues i mirë pasi dinamika e zhvillimit ekonomik dhe e taksave ka ardhur duke u rritur, pra edhe qytetarët paguajnë më shumë taksa në sasi dhe vlerëPra, nga kjo analizë kuptohet që qytetarët duket se paguajnë më shumë taksa dhe tarifa se në vitin 2015, por marrin më pak investime pas”, thotë Haxhimali.

Edhe eksperti i Pushtetit Vendor, Fatlum Nurja shprehet se sot bashkitë nuk janë më shumë eficiente se sistemi i pushtetit vendor i para reformës administrative. “Në dallim nga 68 bashkitë dhe 308 komuna që kishte Shqipëria deri në vitin 2015, sot janë premisat për të pasur më shumë eficiencë, – thotë Nurja – , por mungon vullneti”“Lezha është i vetmi shembull që ka bërë shkurtime të mëdha. Ndoshta kryetari nuk është nisur nga eficienca, por për të emëruar militantët e tjerë. Zgjidhja është të luftosh korrupsionin politik. Në pikëpamjen e buxheteve, 61 bashkitë sot me njësitë para vitit 2015 janë aty e aty. Në pikëpamjen e investimeve ka diçka tjetër. Sot janë premisat për rritjen e eficiencës, sot janë premisa,t por nuk është vullneti i duhur”, shprehet Nurja.

Por a mund të justifikohet numri i punonjësve të administratës së bashkive? Agron Haxhimali  shprehet se pas reformës administrative, kryetarët e bashkive kanë atributin ekskluziv për përcaktimin e strukturës së punonjësve të bashkive, ndryshe nga sa ishte më parë. “Dy janë ligjet bazë në këtë rast për përgjigjen tuaj. Ligji 139/2014 “Për vetëqëverisjen vendore” dhe ligji 68/2017 “Për financat e qeverisjes vendore” si dhe VKM 177/2017 për sistemin e pagave. Pas reformës këto ligje i kanë dhënë liri bashkive për të caktuar numrin e punonjësve, i cili përcaktohet nga nevoja dhe analiza që bën kryetari i bashkisë edhe ia miraton këshilli. Pra nuk ka kufizime të përcaktuar në ligj se sa duhet të ketë numrin e punonjësve një bashki. Theksojmë se struktura administrative në bashki është ekskluzivitet i kryetarit dhe jo i këshillit, siç ka qenë më para,” shprehet Haxhimali.

Ndërkohë, Fatlum Nurja e shikon problemin pikërisht te këshillat bashkiakë. Sipas tij, janë këto organe ato që kanë deformuar reformën administrative. Ai tregon se duhet që këshillat të jenë më të përgjegjshëm në miratimin e propozimeve të kryetarëve të bashkive, pasi me situatën aktuale rrezikojmë të shkojmë në kolaps financiar. “Fieri ka 43% paga e sigurime shoqërore. Ky është një skandal i vërtetë. Nuk është faji i reformës. Këshillat kanë miratuar çdo propozim të kryetarëve të bashkive. Ne rrezikojmë të shkojmë në kolaps. Kam ndjekur debatin në Greqi, sepse është e njëjta gjë si në Greqinë e disa viteve më parë. Mungesa e shërbimeve e çon qeverinë të shkojë të marrë borxhe. Paga për administratën është pagë për rrjetin politik të partisë në pushtet. Ti po paguan militantët politikë. Këshillat janë struktura që kanë fuqinë për t`i shkurtuar punonjësit. Një këshill i përgjegjshëm e hedh poshtë propozimin e kryetarit. Por këto nuk janë këshilla të përgjegjshëm, siç thotë Kushtetuta. Reforma ka dështuar në këtë pikë, por nuk është faji i reformës dhe as i ligjit. Ky është abuzim me reformën. Është abuzuar 100%, ka qëllime personale dhe programe individuale të kryetarëve të bashkive për të rritur formatin e tyre politik. Ka ndërhyrje nga strukturat e deputetëve për të punësuar rrjetin e tyre politik.”-thotë Nurja.

Haxhimali tregon më tej se qytetarëve shqiptarë u kushton deri në 4500 euro në vit paga dhe sigurimet shoqërore për një punonjës bashkie. Ndaj pyetja që lind është nëse reforma administrative territoriale ka qenë efikase siç u pretendua në fillim nga hartuesit e saj. “Shpenzimet për paga janë një zë i konsiderueshëm në buxhetet vendore. Në vitin 2015 pesha e shpenzimeve për personelin ishte 18.5%, ndërsa në 2018 ishte 26%. Në raportin e fundit të publikuar në sitin e Ministrisë së Financave, rezulton se është gati 70% e buxhetit të bashkive në shkallë kombëtare shkon për paga dhe shpenzime administrative. Sigurisht që nuk është shifër që lë shije të mirë, pasi qytetarët kanë votuar për cilësi dhe sasi shërbimesh dhe jo sasi punonjësish në institucione”, thotë Haxhimali.

Kurse Nurja shton se reforma është përdorur për qëllime elektorale. Ai shpjegon se janë drejtues të qeverisjes qendrore, të cilët për të përmbushur premtimet e tyre elektorale për hapjen e vendeve të punës, u kërkojnë kryetarëve të bashkive që të fryjnë administratën e këtyre institucioneve. “Kryetarët e bashkive duke u nisur nga retorika e fushatave elektorale, premtojnë punësime në bashki. Në fakt duhet të hapen vende pune, por jo në bashki, por në komunitet. Problemi qëndron tek autonomia vendore dhe përgjegjshmëria, premtimin e bën qeverisja qendrore dhe deformimin e bën qeverisja vendore. Një bashki ka mundësi të shkurtojë psh. Njësitë administrative, duke rritur efikasitetin. Por bashkitë futen në fushatë duke premtuar punësim dhe këtë e realizojnë jo duke rritur klimën e biznesit, por duke hapur vende pune në administratë”, thotë eksperti i pushtetit lokal.